TIRANË, 18 qershor/ATSH-A. Fortuzi/- Pas procesit të dezinfektimit dhe heqjes së leshterikëve, prej mëngjesit të sotëm bashkia e Durrësit ka nisur punën për pastrimin e plazhit në zonën e Gjirit të Lalzit.

Nën mbikëqyrjen e Prefekturës së Durrësit, në orën 8:30′ të ditës së enjte ka nisur aksioni për pastrimin e vijës bregdetare të Durrësit, duke vendosur në zbatim urdhrin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Prefekti i Qarkut të Durrësit, Roland Nasto, në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare bëri të ditur se ky aksion do të shtrihet përgjatë gjithë vijës bregdetare në territorin e Durrësit.

“Kemi nisur nga Gjiri i Lalzit, pasi është vlerësuar si një nga pikat ku janë evidentuar problematika të shtuara. Sot do punojmë përgjatë gjithë kësaj vije bregdetare, ndërsa më tej do të vijojmë dhe në vijën e dytë, pas zonës së pemëve, duke i’u afruar aksit rrugor kryesor për ta bërë këtë zonë sa më të pastër dhe mikpritëse për pushuesit, pasi jemi në sezon turistik dhe presim turistë”,- tha Nasto.

“Ky aksion vjen pas urdhrit të datës 10 qershor 2020 të ministrit të Brendshëm dhe atij të Turizmit dhe Mjedisit për pastrimin e zonave bregdetare. U bëjë thirrje të gjithë qytetarëve që veç respektimit të masave anti COVID-19, që janë shumë të rëndësishme dhe duhen zbatuar ashtu siç kërkohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duhet të jenë të ndërgjegjshëm për të ruajtur një mjedis sa më të pastër”,- tha Nasto për ATSH.

Alfred Duli, Drejtor i Komunales për Plazhin, në bashkinë Durrës, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se është bërë dezinfektimi i gjithë zonës së plazhit në Durrës.

“Ne operojmë nga zona e “Urës së Dajlanit” tek “Përroi i Agait”. Ne kemi marrë masat që prej muajit prill, kur kemi pastruar bregdetin nga leshteriku dhe inertet.  Stacionet e plazhit të marra nga privati dhe sipas inspektimeve, ata rezultojnë se kanë zbatuar distancat. Detyra jonë është dezinfektimi, që është realizuar me sukses. Ruajtja e ambienteve është bërë në të gjitha zonat. Tani jemi duke bërë plugimin dhe pastrimin e pjesëve të brendshme të plazhit”,- tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare Alfred Duli.

Ky aksion i ndërmarrë nga Bashkia e Durrësit do të vijoj deri në fund të qershorit. Në kushte pandemie, sezoni turistik ka nisur zyrtarisht më datën 1 qershor, teksa do të vijoi deri në mesin e muajit nëntor, për ti dhënë më shumë hapësira sipërmarrësve të turizmit të shfrytëzojnë flukset turistike. Gjithashtu për shkak të pandemisë këtë vit, aplikimi për stacione plazhi u realizua online përmes e-Albania, proces që zgjati deri më 15 qershor.

Sipërmarrjet në fushën e turizmit, kanë nisur aktivitetin e tyre duke respektuar masat e sigurisë së përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në kuadër të minimizimit të përhapjes së COVID-19.

Në vendin tonë të premten e shkuar ka ardhur dhe çarteri i parë me turistë nga Bjellorusia, ndërsa këtë javë pritet dhe nisja e fluturimeve turistike nga Viena drejt Tiranës, si dhe nga Athina drejt vendit tonë, si impulse të para për një sezon turistik pas pandemisë.

ATSH