ATSH/ Që prej 11 janarit kur nisi vaksinimi kundër virusit të Sars-Cov-2, në Shkodër janë vaksinuar mbi 10 mijë qytetarë, ndërsa në rang vendi janë vaksinuar mbi 120 mijë qytetarë.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u ndal në qendrën e vaksinimit në Shkodër.

Ministrja e informoi kryeministrin se procesi po shkon mirë dhe se qytetarët nuk kanë paraqitur hezitim për tu vaksinuar.

“Janë vaksinuar deri tani mbi 10 mijë qytetarë në Shkodër. Përveç mjekëve, infermierëve, mësuesve e pedagogëve janë vaksinuar edhe 65 mijë qytetarë mbi 70 vjeç. Ndërsa në të gjithë vendin janë kryer mbi 120 mijë vaksinime. Po ecim me ritme të shpejta”, deklaroi Manastirliu.

Shkodra si qark kryen rreth 2 500 vaksinime në ditë.

Një nga qytetarët, e cila sapo kishte marrë vaksinën i shprehu mirënjohjen kryeministrit që bëri të mundur vaksinimin falas.