Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar vrasësin e 67 vjeçarit Petrika Treska në Korçë, i cili humbi jetën nga goditja me thikë.

Bëhet me dije se është arrestuar autori i dyshuar, Apostol Bozhgolli, 65 vjeç, banues në Korçë, i cili është edhe fqinji i viktimës.

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ndërsa është sekuestruar edhe thika me të cilën është kryer vrasja.

Njoftimi i Policisë:

Korçë

Policia zbardh dhe dokumenton ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme ku në lagjen nr. 7, humbi jetën një 67-vjeçar.

Arrestohet në flagrancë për veprën penale “Vrasja me dashje” fqinji i tij, si autor i dyshuar i ngjarjes.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 23.04.2020, ku në lagjen nr. 7, në banesë, u godit me thikë dhe për pasojë gjeti vdekjen shtetasi P. T., 67 vjeç, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar të ngjarjes shtetasit A. B., 65 vjeç, banues në Korçë.

Nga veprimet e para hetimore të kryera, dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti prerës (thikë), i përdorur në krim nga autori i dyshuar A. B.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme./newsbomb