ATSH/ Kompanitë e kontraktuara dhe të gjitha strukturat janë në terren që prej mbrëmjes së djeshme në të gjitha akset rrugore duke punuar për pastrimin e gjithë akseve rrugore nga ngricat dhe dëbora me forca të shtuara me mjete, staf dhe materiale kripë.

Gjithashtu strukturat janë në krye të detyrës dhe në çdo njësi administrative për të përballuar vështirësitë nga moti ekstrem që ka përfshirë vendin tonë që prej mbrëmjes së djeshme.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka publikuar një fotogaleri nga puna që po bëhet në terren për pastrimin e akseve rrugore në njësitë administrative të bashkive Dibër, Mat, Bulqizë e Klos.

“Të gjitha strukturat në krye të detyrës, në çdo njësi administrative të bashkive Dibër, Mat, Bulqizë e Klos për përballimin e vështirësive të krijuara nga moti i pazakontë”, shprehet Xhaçka.

Gjithashtu ministrja thekson se pavarësisht motit të keq që ka përfshirë vendin ekipet e OSHEE janë në terren për të garantuar furnizimin me energji elektrike për qytetarët.

“Ekipet janë në terren në çdo orë të ditës e natës për të siguruar kalueshmërinë e çdo aksi në qark. Shërbim pa ndërprerje nga ekipet e OSHEE për furnizimin me energji elektrike të çdo familje”, tha Xhaçka.