ATSH/ Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, deklaroi sot se “përpjekja për të stabilizuar e zhvilluar rajonin tonë, nuk mund të jetë kurrë e suksesshme pa integrimin e plotë të Kosovës në strukturat Euro-Atlantike. Duke filluar padyshim me anëtarësimin në NATO e duke vazhduar më pas me integrimin në Bashkimin Europian”.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë me Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Anton Quni, ministrja Xhaçka tha se “është gjithmonë një kënaqësi kur kemi mundësinë të ulemi e të flasim së bashku për të çuar përpara jo vetëm interesat e shqiptarëve kudo në rajon, por edhe sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e mbarë rajonit”.

Por, vijoi ministrja, para së gjithash, dua ta uroj kolegun Quni për detyrën e tij të re.

“E di që ai vjen në këtë post në një moment plot sfida për Kosovën.
Një moment realisht jetik për të ardhmen e Kosovës dhe pozicionin e saj në rajon. Por unë nuk kam asnjë dyshim që kolegu Quni, ashtu si dhe qeveria e drejtuar nga Kryeministri Hoti dhe mbarë klasa politike në Kosovë, do të dinë ta shfrytëzojnë më së miri këtë moment kaq të rëndësishëm për Kosovë, qytetarët e saj dhe shqiptarët kudo që ndodhen”, – nënvizoi Xhaçka.

Ministrja Xhaçka shprehu sigurinë që ata kanë të gjithë kapacitetet jo vetëm për t’u përballur me sfidën e negociatave, por edhe për të çuar përpara integrimin e Kosovës në strukturat Euro-Atlantike.

“Dua t’ju siguroj ju, e përmes jush Qeverinë dhe vëllezërit tanë kosovarë, që mbështetja jonë do të jetë e pakursyer në çdo aspekt.
Sot në rajonin tonë ka paqe e stabilitet. Pavarësisht sfidave e vështirësive që kemi akoma përpara është bërë një progres i jashtëzakonshëm”, – tha Xhaçka.

Fakti, shtoi ajo,  që sot Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtarë me të drejta të plota të NATO sigurisht që është një garanci më shumë për konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit e paqes që kërkojnë të gjithë popujt e rajonit.

“Jemi të gjithë të vetëdijshëm që ka shumë punë për të bërë për të arritur këto objektiva madhore strategjike. Dhe dua ta garantoj ministrin që qoftë në rrafshin politik e diplomatik, qoftë në atë teknik ne do të jemi krah për krah vëllezërve tanë duke ndarë të gjithë eksperiencën e Shqipërisë me integrimin në NATO”, – nënvizoi Xhaçka.

Për më tepër, tha ministrja, i kam shprehur kolegut Quni angazhimin tim personal, dhe angazhimin e Kryeministrit Rama, për hapjen e një kapitulli të ri dhe shumë intensiv bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, i cili fillon me negocimin në një kohë sa më të shkurtër të një marrëveshjeje të re bazë mes dikastereve tona, që shpresoj ta firmosim gjatë vizitës sime të ardhshme në Kosovë.

Ministrja Xhaçka shprehu bindjen se me këtë vizitë fillon një kapitull i ri dhe shumë intensiv në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes.

Nga ana e tij ministri Quni vlerësoi rolin e Shqipërisë në mbrojtjen e interesave të Republikës së Kosovës duke e konsideruar vendin tonë si bashkëpunëtorin më të mirë.

“Ju jeni udhërrëfyesi ynë drejt integrimeve euroatlantike në rrafshin e sigurisë dhe në rrafshin ushtarak dhe me plot bindje e them se ne ju konsiderojmë si ambasadorin më të mirë që edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës nesër të jenë krah për krah me të gjitha ato forcat që zhvillojnë aktivitete të ndryshme për të ndihmuar të gjithë ata qytetarë që kanë nevojë për siguri dhe për paqe. Unë nuk e di që ka ndonjë adresë më të mirë ku ne mund të kërkojmë bashkëpunimin se sa Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë”,- theksoi ministri Quni.

Me nismën e ministres Xhaçka, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Kosovës, do të hapin një kapitulli të ri dhe shumë intensiv bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, i cili fillon me negocimin në një kohë sa më të shkurtër të një marrëveshjeje të re bazë mes dy dikastereve, që siç u shpreh ministrja Xhaçka, shpreson ta firmosë gjatë vizitës së ardhshme në Prishtinë. /k.s/ /a.g/