Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mëngjesin e djeshëm pranë shkollës ‘Çajupi’, në rrugën ‘Kongresi i Manastirit’.

Përplasja mes dy mësueseve të shkollës ‘Çajupi’, për vend qëndrim në lokal ka çuar në përfshirjen në konflikt duke përdorur sende të forta, të afërmve të tyre.

Kjo përplasje çoi në pranga një 39 vjeçar, i cili gjatë konfliktit ka qëlluar në ajër me armë zjarri, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Një 32 vjeçar, i afërmi i shtetases D.T., përfundoi në spital nga dëmtimet e marra dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkaq, policia procedoi penalisht pesë prej tyre, ndërsa shpalli në kërkim një tjetër shtetas.

“Në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. F., 39 vjeç dhe proceduan penalisht shtetasit E. K., 30 vjeç, E. Q., 41 vjeç, E. K., 32 vjeç., N. Q., 43 vjeç, L. D., 41 vjeç, si dhe shpallën në kërkim shtetasin A. T., 27 vjeç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se në një lokal në afërsi të një shkolle në rrugën “Kongresi i Manastirit”, fillimisht janë konfliktuar verbalisht, për motive të dobëta (për vend qëndrimi në lokal) shtetasja E. Q., 46 vjeçe dhe D. T., 53 vjeçe. Më pas janë përfshirë në konflikt duke përdorur sende të forta, të afërmit përkatës të tyre, konkretisht shtetasit E. F., E. Q., 41 vjeç, N. Q., 43 vjeç dhe L. D., 41 vjeç (të afërmit e shtetases E. Q.) dhe shtetasit E. K., 32 vjeç, E. K., 30 vjeç dhe A. T., 27 vjeç (të afërmit e shtetases D. T). Si pasojë e konfliktit është dëmtuar me sende të forta shtetasi E. K., 32 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, gjatë konfliktit dyshohet se shtetasi E. F. (i arrestuar) ka qëlluar në ajër me një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel