Një grup studiuesish nga vende të ndryshme testoi medikamentin “Amivantamab” te pacientë me tumore, kryesisht në zonën e kokës dhe qafës, të cilët kishin pësuar rikthim të sëmundjes, pas trajtimeve të pasuksesshme.
Rezultatet e studimit u cilësuan të paprecedenta, në 15 pacientë, pas administrimit të ilaçit, tumori u zhduk plotësisht.
“Amivantamab” vepron në tre mënyra. Ai bllokon proteinën EGFR, e cila nxit rritjen e tumoreve, si dhe proteinën MET, që qelizat kancerogjene e përdorin, për t’iu shmangur trajtimeve.
Përveç kësaj, ilaçi aktivizon sistemin imunitar për të sulmuar qelizat tumorale.
Pacientët e trajtuar me “Amivantamab” regjistruan një mbijetesë mesatare prej 12,5 muajsh nga fillimi i trajtimit, një rezultat i konsideruar i rëndësishëm, duke pasur parasysh prognozat shumë më të pafavorshme, që kishin marrë më herët.
“Bëhet fjalë për përgjigje jashtëzakonisht të forta te pacientët, sëmundja e të cilëve ishte bërë rezistente si, ndaj kimioterapisë ashtu edhe ndaj imunoterapisë. Ky është një grup pacientësh për të cilët opsionet terapeutike janë jashtëzakonisht të kufizuara. Të shohësh efekte kaq pozitive është vërtet e jashtëzakonshme. Ky trajtim ka potencialin të ndihmojë mijëra pacientë çdo vit”, deklaroi profesori i terapive biologjike kundër kancerit në Institutin e Kërkimeve për Kancerin, Kevin Harrington. //a.i/



























