Ky zbulim hedh dritë mbi mënyrën se si tekstet antike ripërdoroheshin në praktikat funerale dhe mbi përhapjen e letërsisë greke në Egjipt gjatë periudhës romake.

Gjetja u bë në Al Bahnasa, rreth 190 kilometra në jug të Kajros, gjatë një misioni të përbashkët të Universitetit të Barcelonës dhe Institutit të Lindjes së Afërt të Lashtë.

Në të ashtuquajturin “varri 65”, një hipoge i dëmtuar dhe i grabitur që në lashtësi, arkeologët arritën të zbulojnë një koleksion të pasur objektesh funerale.

Studiuesit dokumentuan disa mumie me fasha të zbukuruara me motive gjeometrike dhe ngjyra ende të gjalla, si dhe sarkofagë druri shumëngjyrësh dhe objekte metalike si fletë të holla ari dhe një copë bakri.

Këto elemente ishin pjesë e pajës funerale tipike të periudhës greko-romake, që synonte të ndihmonte të ndjerin në jetën e përtejme.

Sipas profesorit Hassan Amer nga Universiteti i Kajros, ky varr ofron dëshmi të rëndësishme mbi ndërthurjen e traditave funerare egjiptiane me ndikimet helenistike dhe romake.

Edhe pse i dëmtuar, ai ka lejuar rindërtimin e këtij procesi kulturor kompleks.

Zbulimi më i jashtëzakonshëm ishte një fragment papirusi i gjetur brenda një mumie, që përmban vargje nga libri i dytë i “Iliadës”, i njohur si “Katalogu i Anijeve”, ku renditen forcat greke që u nisën drejt Trojës.

Edhe pse papiruse janë të zakonshme në Oxyrhynchus, gjetja e tyre brenda një mumie është shumë e rrallë dhe e bën këtë zbulim unik.

Ekspertët mendojnë se fragmenti është ripërdorur si material për mbështjelljen e mumies, një praktikë e zakonshme në antikitet, dhe jo për ndonjë qëllim simbolik.

Ky zbulim pasuron njohuritë mbi qarkullimin e letërsisë klasike në jetën e përditshme dhe forcon rëndësinë e rajonit të Al Minya si një qendër kyçe për studimin e botës së lashtë mesdhetare. /Ad.Ab./