TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Ministri i Rindërtimit dhe koordinator për hartimin e Planit Kombëtar Shqipëria 2030, Arben Ahmetaj deklaroi sot se “tatimfitimi për biznesin e vogël deri në vitin 2029 do jetë zero”.

Në një komunikim për mediet Ahmetaj tha se, “jam këtu për të komunikuar me qytetarët avancimin e Planit Kombëtare Shqipëria 2030. Plan Kombëtar, nuk do të jetë një strategji e bazuar në teoritë ekonomike, por do të jetë plan i detajuar zhvillimi me reforma konkrete me aksione konkrete, projekte konkretet dhe kalendar muaj pas muaji dhe vit pas viti”.

“Synimi i Planit Kombëtar është vazhdimi i transformimit ekonomik të Shqipërisë dhe realizmi i ëndrrës së shqiptarëve për integrimin e Shqipërisë në BE”, – u shpreh Ahmetaj.

“Brenda Planit Kombëtar 2030, siç e ka konfirmuar edhe Kryeministri Edi Rama dje, do të ketë një masë të rëndësishme për shumicën e shqiptarëve që punojnë në sektorin privat, për shqiptarët që punojnë në biznesin e vogël”, – tha Ahmetaj.

Kryeministri ka komunikuar dje me shqiptarët iniciativën e fundit që ka të bëjë me çlirimin nga taksat për të gjithë biznesin e vogël me xhiro deri në 14 milionë lekë.

“Zerimi i tatimfitimit për biznesin e vogël deri në vitin 2029, është një mundësi shumë e madhe për çdo shqiptarë brenda dhe jashtë vendit që d të hapi një biznes një fillesë sipërmarrje në Republikën e Shqipërisë, do të jetë i çliruar nga taksat nga tatim fitimi, do të jetë i çliruar nga kontrolli i vazhdueshëm i tatimorëve dhe përkundrazi me këtë mënyrë do ti bashkohet institucioneve shtetërore në funksion dhe në të mirë të buxhetit të shtetit, duke shpresuar pozitivisht dhe shtyrë biznesin e madh që të formalizohet çdo ditë e më tepër”, tha Ahmetaj.

“Zerimi i tatimfitimit ashtu siç iu referua dhe Kryeministri dje, mund të shoqërohet me heqjen e tatimit të vlerës së shtuar. Ne kemi angazhuar një sërë specialistësh vendas dhe të huaj në kuadrin e Planit Kombëtar Shqipëria 2030, për të pasur aty reflektim për çdo shqiptar që do të jetojë me punë të ndershme, për çdo shqiptar jashtë atdheut që do t’i rikthehet punës në atdheun e vet dhe unë jam pozitivisht i shtyrë të them që dhe kërkesa që ka bërë Kryeministri për sa i përket heqjes së tatimit të vlerës shtuar, pas kalkulimeve dhe projeksioneve që i bëjnë për vite të tëra në vazhdim ekonomisë, apo edhe detajimit të procedurave të mundshme për ta thjeshtuar të gjithë proceduarën dhe qasjen që kemi me sipërmarrjen për sa i përket jo vetëm taksave, por në këtë rast tatimit të vlerës së shtuar, unë jam pozitivisht i shtyrë të ndajë me qytetarët që shumë shpejt, do të kemi edhe këtë lajm për heqjen e tatimit të vlerës së shtuar”, – deklaroi Ahmetaj.

Kjo iniciativë tha ai, do të konfirmohet në parlament brenda këtij sesioni.

“Përpara se ne të mbyllim punimet e parlamentit në fund të korrikut të këtij viti, biznesi i vogël, shqiptarët, do të kenë të konfirmuar në parlament, në ligj, ato që Kryeministri Rama ka komunikuar dhe avancuar si iniciativë të qeverisë dhe të tij, në lidhje me lehtësimin e barrës fiskale për çdo qytetar dhe sidomos për biznesin e vogël, që konsiderohet si një punëdhënës i rëndësishëm, ashtu sikurse e tregoi edhe gjithë periudha që kaluam me sukses gjatë COVID-19”, – theksoi Ahmetaj.

ATSH