TIRANË, 15 korrik/ATSH-A. Fortuzi/- Përgjatë vitit 2020 kanë përfituar në total 1.468 qytetarë nga ndihma juridike falas.
Ministria e Drejtësisë, Etilda Gjonaj bën të ditur se ndihma juridike falas e cila tashmë ofrohet edhe online është përfituar nga 1 468 qytetarë.
Sipas ministres Gjonaj, e cila ka publikuar dhe statistikat e kërkesave për ndihmë juridike, shprehet se, “709 qytetarë kanë marrë ndihmë në qendrat e ofrimit të ndihmës juridike parësore, në Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier dhe Lezhë dhe 62 vendime gjykate janë dhënë për rastet që kanë përfituar ndihmë juridike dytësore, 621 nëpërmjet platformës juristionline.al dhe 138 nëpërmjet numrit jeshil 0800 10 10”.
“Për më shumë informacion rreth shërbimeve ligjore të garantuara nga shteti, vizitoni faqen zyrtare të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas www.ndihmajuridike.gov.al”,- bënë të ditur Gjonaj.
Sipas statistikave të publikuara prej saj rezulton se 153 kërkesa kanë qenë për çështje Administrative, 146 lidhur me paketat e ndihmës ekonomike COVID-19, 81 çështje penale, 207 çështje civile dhe 34 lidhur me masat administrative COVID-19. Në total janë marrë online 621 pyetje përgjigje. Rastet e trajtuara në Tiranë janë 323, Elbasan 23, në Durrës 129, në Fier 87, në Lezhë 147, një total prej 709 rastesh.
ATSH