TIRANE, 10 qershor/ATSH/- Përkujtohet sot 142 vjetori i themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. E mbajtur më 10 qershor më 1878, Lidhja ishte e para organizatë politike mbarëshqiptare, me një platformë ideologjike, program politik, strukturë organizative në të gjitha trojet shqiptare, ushtri dhe aksione kulturore.

Presidenti Ilir Meta, thekson se “në historinë e kombit tonë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, shënon një nga ngjarjet më lapidare dhe frymëzuese për të gjitha kohërat, ku u shpalos dhe u lartësua identiteti kombëtar e europian i shqiptarëve, dhe u legjitimuan aspiratat për shtet-formim që i paraprinë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”

“Ndaj sot, në 142-vjetorin e krijimit të Lidhjes, ne kujtojmë me respekt e mirënjohje të jashtëzakonshme udhëheqësit vizionarë e legjendarë të saj, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sulejman Vokshin dhe të gjithë burrat e mençur dhe atdhetarë, të cilët sakrifikuan gjithçka për të mbrojtur të ardhmen e Shqipërisë, Kosovës dhe të mbarë kombit tonë, nga rreziku shovinist dhe platformat e aneksimit të territoreve”, shprehet Meta.

Vizioni, fryma patriotike, dhe ndjenjat më të larta të atdhedashurisë që na ka lënë trashëgim Lidhja Shqiptare e Prizrenit, thekson President, mbeten një vepër e gjallë dhe frymëzim mbarëkombëtar, veçanërisht për rininë, sa herë kërcënohen Sovraniteti, Liria dhe Pavarësia.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në një mesazh me rastin e përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,  thekson se “lidhja ishte një betejë trevjeçare që luftoi për triadën çlirim, shtetformim mbi bazën e kombit dhe tërësi territoriale të atdheut të shqiptarëve”.

“Lidhja ishte pjesë e kontekstit të luftrave çlirimtare në Europë dhe Ballkan. Lidhja u ngrit mbi dallimet klasore, fetare e krahinore dhe u bë promotore e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare në një njësi politiko-administrative, mbështetur në parimin e kombësisë dhe tërësisë territoriale. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte sipari i luftrave  për pavarësi, frymëzoi idenë e lirisë dhe krijoi modelin e  organizimit politik e ushtarak për të çliruar vendin”, shprehet kryeparlamentari Ruçi.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, nënvizon ai, është një model patriotizmi, shtetformimi dhe kohezioni kombëtar për shqiptarët, jo vetëm gjatë luftrave çlirimtare, por edhe në ditët e sotme”.

ATSH