Rreth 32 mijë maturantë u ulën në bankat e shkollës sot për të zhvilluar testin e matematikës, për të testuar njohuritë e marra në këtë lëndë përgjatë këtyre 3 viteve. Provimi nuk zgjati 2 orë, siç ndodhi me Letërsinë, por 2 orë e 30 minuta, duke u plotësuar kështu një nga kërkesat e maturantëve, dhe nis në orën 10:00-12:30.

Në Zyrën Arsimore Vendore në Elbasan iu nënshtruan testimit të matematikës 1742 maturantë, teksa u mbajt në 22 qendra. Drejtoresha e ZVA, Elbasan, Anila Çota bën të ditur për Tv Skampa se janë marrë të gjitha masat në përputhje me protokollin anticovid. Nxënësit janë kontrolluar paraprakisht për temperaturë, maska, doreza nga përfaqësuesit e shëndetësisë prezentë në çdo shkollë. Nxënësit kanë ruajtur distancën gjatë hyrjes në qendrat e provimit si dhe në klasa 1,5-2 metra, sipas rregullores së Maturës Shtetërore.

Në çdo qendër, përveç përgjegjësit të administrimit të provimit dhe mësuesve administratorë ka nga 1 përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, MASR. Qendrat mbikqyren nga policia. Në 18 qershor maturantët do ti nënshtrohen provimit të lëndës me zgjedhje, ndërkohë që menjëherë, pas përfundimit të provimit, ato kanë paralajmëruar protestë, ku kërkojnë rivlerësimin e provimit të gjuhën Shqipe dhe Letërsisë, pasi sipas tyre testi ka pasur shumë pasaktësi, ku pyetjet ishin të formuluara gabim, që më shumë se testonin njohuritë i kanë ngatërruar ato.

Pyetja që ngjalli më shumë pakënaqësi e që bëri që maturantët të ngriheshin në protestë ishte pyetja e famshme “Çfarë bëri Turi”, por edhe përfshirja e shkrimtarit Lasgush Poradeci, i cilësuar prej tyre si shumë filozofik dhe i vështirë për brezin e tyre.