Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha sot se “6 pacientë, mes tyre edhe mosha të reja, janë të intubuar dhe po luftojnë për jetën në spitalin Infektiv, me përpjekjen e madhe të stafit mjekësor, në një betejë shumë të vështirë me virusin e rrezikshëm”.
Manastirliu u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e vendosura, duke mbajtur distancën, vendosur maskën dhe ruajtur higjienën personale.
“Mos e lejoni që ju apo një i afërmi juaj të përfundojë në spital dhe të rrezikojë jetën nga COVID-19. Respektoni rregullat”, tha ministrja.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informoi sot se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 82 raste pozitivë me COVID-19. Në vendin tonë aktualisht janë 1273 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.