Gjatë natës Tel Avivi u shënjestrua 3 herë nga raketat balistike iraniane. Sulmet nga Teherani nuk munguan as në Jerusalem.
Ndërkohë numri i viktimave nga anija e fundosur iraniane afër brigjeve të Sri Lankës ka shkuar në 87, ndërsa 61 persona janë ende të zhdukur.
Sakaq pas sulmit me dron në bazën britanike RAF në Qipro, autoritetet vendase kanë rritur ndjeshëm masat mbrojtëse në rast të një sulmi tjetër nga Teherani.
Përditësime live, 5 mars 2026
08:49 Lufta në Lindjen e Mesme, Irani sulmon tankerin amerikan të naftës
Ndërsa Izraeli bombardon Teheranin për të gjashtën ditë radhazi, Irani nisi gjithashtu valën e vet të sulmeve kundër Izraelit dhe objektivave amerikane.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike tha këtë mëngjes se vala e 19-të e operacionit “Premtimi i Vërtetë 4” kishte filluar me një sulm të kombinuar me raketa dhe dronë kundër pozicioneve amerikane dhe izraelite në rajon, sipas transmetuesit shtetëror Press TV.
Përgatitjet e autoriteteve qipriote po rriten dita-ditës për sa i përket gatishmërisë operacionale, pasi zbulimi i djeshëm i objekteve të dyshimta si herët në mëngjes ashtu edhe pak para mesnatës rezultoi jo vetëm në ngritjen e dy prej katër avionëve luftarakë grekë të stacionuar në ishull për të kryer operacione zbulimi, por edhe në përmirësimin e masave për mbrojtjen e ishullit, e cila vazhdon me një ritëm intensiv.
Shpërthime u dëgjuan në Jerusalem këtë mëngjes pas një serie të re lëshimesh raketash nga Irani, ndërsa shërbimet izraelite të emergjencës thanë se deri më tani nuk ka pasur viktima.
Ndërkohë ushtria pretendon se ka shkatërruar rreth 300 raketahedhës në Iran që nga fillimi i luftës të shtunën.
08:01 Raketa iraniane drejt Turqisë, reagojnë forcat e Teheranit: Nuk kishte synim tokën turke
Forcat e armatosura të Iranit lëshuan një deklaratë sot në mëngjes duke mohuar se kishin qëlluar një raketë balistike drejt Turqisë ditën e djeshme.
“Ne e respektojmë integritetin territorial të Turqisë, është një vend mik dhe fqinj”, thotë deklarata, që erdhi pothuajse 24 orë pas raportimeve se një raketë iraniane ishte qëlluar në bazën ushtarake Incirlik në Turqi dhe ishte rrëzuar nga NATO.
07:48 Fundosja e anijes iraniane nga nëndetëset amerikane afër Sri Lankës, shkon në 87 numri i viktimave, 61 persona ende të zhdukur
Fundosja e fregatës iraniane Iris Dena në Oqeanin Indian, ka shkaktuar 87 të vdekur dhe 61 të zhdukur.
Sulmi, i cili ndodhi në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve të Sri Lankës, e lë Iranin përballë humbjes së një anijeje të madhe detare.
Top Channel



























