Edlira Xherri
Peizazhi shqiptar dhe ndryshimi i stinëve vijnë të përjetuara përmes penelit në ekspozitën “Stinët” të piktorit të njohur elbasanas Sadik Kasa. Në hollin e Teatri Skampa në Elbasan janë ekspozuar dhjetëra vepra që përmbledhin një pjesë të rëndësishme të rrugëtimit të tij artistik ndër vite, duke sjellë për publikun një panoramë të gjerë të krijimtarisë së një prej emrave më të spikatur të artit pamor në qytet.
Ekspozita vjen në një moment të veçantë për artistin, me rastin e 70-vjetorit të lindjes, ndërsa gjatë këtij aktiviteti ai u nderua edhe me titullin “Qytetar Nderi i Elbasanit”, një vlerësim i akorduar nga Bashkia Elbasan për kontributin e tij të gjatë dhe të çmuar në jetën artistike dhe kulturore të qytetit.
Ky vlerësim erdhi si një shenjë mirënjohjeje për një rrugëtim të gjatë krijues, ku piktori elbasanas ka ndërtuar ndër vite një identitet të veçantë artistik përmes peizazheve dhe interpretimit të natyrës shqiptare. Për dekada me radhë, Sadik Kasa ka qenë një nga figurat më aktive të artit pamor në qytet, duke kontribuar jo vetëm me krijimtarinë e tij, por edhe me frymëzimin që ka dhënë për breza të rinj artistësh.
Në ceremoninë e dhënies së titullit ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë Gledian Llatja, i cili vlerësoi kontributin e piktorit dhe theksoi rëndësinë që kanë figura të tilla për jetën kulturore të qytetit. Ai nënvizoi se ky titull është një vlerësim për një artist që përmes veprës së tij ka pasuruar kulturën dhe identitetin artistik të Elbasanit.
Vetë piktori Sadik Kasa u shpreh i emocionuar për këtë vlerësim, duke theksuar se mbështetja dhe vlerësimi i kolegëve dhe dashamirësve të artit janë ndër momentet më të bukura për një artist.
Sadik Kasa, Piktor
“Më pëlqen të vlerësohem nga kolegët dhe jam i lumtur që shumë prej tyre janë sot këtu dhe më kanë vlerësuar. Është e vështirë të bësh një bilanc të saktë, por duke u marrë me kornizat e punimeve, kam konstatuar se, edhe pse kam punuar, kam shitur dhe kam jetuar me pikturën, ende kam në gjendje mbi 700 punime.”
Peizazhi mbetet një nga temat kryesore të krijimtarisë së tij, një raport i vazhdueshëm me natyrën dhe transformimin e saj gjatë stinëve. Në shumë prej veprave të tij, natyra shfaqet si një hapësirë poetike ku ngjyrat dhe drita ndërthuren për të krijuar emocione dhe përjetime të veçanta artistike.
Sadik Kasa, Piktor
“Peizazhi për mua është si t’i thuash një poeti pse merret me natyrën. Në një farë mënyre, mua më pëlqen natyra. Sigurisht edhe peizazhi urban ka të veçantën e vet, por mua më tërheq më shumë poetika e natyrës dhe ndryshimi i stinëve.”
Në çeljen e ekspozitës morën pjesë artistë, kolegë dhe dashamirës të artit, të cilët vlerësuan kontributin e gjatë të piktorit në artin pamor shqiptar. Mes tyre ishte edhe piktori Gazmend Leka, i cili e cilësoi këtë moment si një ditë të veçantë jo vetëm për artistin, por edhe për vetë qytetin e Elbasanit.
Gazmend Leka, Piktor
“Është një ditë e veçantë dhe e gëzuar për Sadikun, që po nderohet nga Bashkia me titullin ‘Qytetar Nderi i Elbasanit’. Në këtë kuptim, duhet të jetë i gëzuar edhe vetë Elbasani. Sadiku është shoku im që nga koha e shkollës dhe gjithë udhëtimi i tij artistik, duke përshkuar Shqipërinë nga veriu në jug, sidomos rrethinat e Elbasanit me peizazhet e mrekullueshme, tregon për një punë të gjatë që tashmë është vlerësuar.”
Nga ana e tij, kryetari i bashkisë theksoi se ky titull është një shprehje mirënjohjeje për një artist që ka dhënë shumë për qytetin dhe për kulturën shqiptare.
Gledian Llatja, Kryetar i Bashkisë Elbasan
“I jepet titulli ‘Qytetar Nderi i Elbasanit’ z. Sadik Kasa për kontributin e vyer në jetën artistike, si një ndër artistët më të rëndësishëm të qytetit. Me një krijimtari të gjatë, me nivel të lartë profesional dhe me ndikim te brezat e rinj të artistëve.”
Ekspozita “Stinët” do të qëndrojë e hapur për disa ditë në Teatrin Skampa, duke u dhënë mundësi artdashësve të ndalen përballë pikturave dhe të përjetojnë përmes tyre bukurinë e peizazhit shqiptar, ndryshimin e stinëve dhe një pjesë të rëndësishme të rrugëtimit artistik të piktorit Sadik Kasa.




























