Edlira Xherri
Një delegacion nga Ambasada e Republikës së Kinës zhvilloi një vizitë në Drejtorinë e Përgjithshme të Kulturës dhe Sporteve në Elbasan, ku u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit në fushën e sportit dhe aktiviteteve kulturore.
Drejtori i Politikave Sportive dhe Kulturore në Ambasadën kineze, Tang Hao, i shoqëruar nga përfaqësues të Shoqatës së “Miqësisë Shqipëri–Kinë”, u prit nga Drejtori i Përgjithshëm Artin Kovaçi. Gjatë takimit, palët diskutuan për krijimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm në të ardhmen, që synon shkëmbimin e eksperiencave, binjakëzimin e ekipeve në sporte të ndryshme, organizimin e aktiviteteve masive dhe cilësore, si dhe zhvillimin e kualifikimeve shkencore në fushën e trajningut sportiv.
Biseda u zhvillua në një frymë pozitive, ndërsa përfaqësuesit e Ambasadës së Kinës shprehën gatishmëri për bashkëpunim me Klubin Shumësportësh Elbasani në disa disiplina sportive.
Gjatë vizitës, delegacioni pati mundësinë të shohë nga afër edhe ambientet e Pallatit të Sportit “Tomorr Sinani”. Ata u ftuan gjithashtu të marrin pjesë në aktivitetet ndërkombëtare që pritet të zhvillohen në Elbasan gjatë muajve qershor–gusht 2026, në disiplinat e ping-pongut dhe peshëngritjes.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe mbështetja për përmirësimin e kushteve dhe komoditetit të Pallatit të Sportit, me synimin për ta zhvilluar më tej këtë hapësirë si një qendër të rëndësishme sportive për qytetin dhe për organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare.




























