Një zbulim i ri në fushën e kërkimeve mjekësore mund të ndryshojë mënyrën si trajtohet infarkti, duke hapur rrugën për rikuperimin e zemrës me vetëm një injeksion.
Studimi është realizuar nga një ekip studiuesish të udhëhequr nga profesori Ke Cheng në Columbia University, në bashkëpunim me institucione të tjera kërkimore në Shtetet e Bashkuara, dhe është publikuar në revistën prestigjioze shkencore “Science” në fillim të marsit 2026.
Shkencëtarët kanë zhvilluar një terapi të bazuar në “self-amplifying RNA”, një teknologji e ngjashme me atë të vaksinave moderne mRNA, e cila i jep trupit udhëzime për të prodhuar një hormon natyral që ndihmon në rigjenerimin e muskulit të zemrës pas një ataku kardiak. Ndryshe nga trajtimet tradicionale, injeksioni nuk vepron drejtpërdrejt në zemër, por në muskuj, të cilët shndërrohen në një lloj “fabrike biologjike” që prodhon substancat shëruese për disa javë.
Testimet janë kryer tek kafshët, përfshirë minjtë dhe derrat, ku është vënë re një përmirësim i ndjeshëm i funksionit të zemrës, si dhe reduktim i dëmtimeve që zakonisht çojnë në dështim kardiak. Detaji më i veçantë është se trajtimi kërkon vetëm një injeksion të vetëm, ndërsa efekti i tij zgjat për një periudhë të gjatë, falë aftësisë së molekulës për t’u shumëfishuar përkohësisht në trup. Megjithatë, ekspertët theksojnë se kjo teknologji është ende në fazë paraklinike dhe nuk është testuar tek njerëzit.
Provat klinike pritet të jenë hapi i radhës, ndërsa përdorimi i gjerë mund të kërkojë disa vite dhe verifikime të shumta për sigurinë dhe efektivitetin.
Top Channel



























