Kryeministri Edi Rama prej të enjtes ka nisur një seri takimesh në “Vilën 30” me secilin ministër të kabinetit qeveritar.
Takimi i parë është zhvilluar me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçin.
Ndërkohë gazetari i Top Channel Muhamed Veliu mëson se këto takime pune vijuan këtë të martë me ministrin e punëve të Brendshme Besfort Lamallari dhe më pas atë të Drejtësisë, Toni Gogu. Burime nga Ministria e Brendshme treguan se në këtë takim nuk është folur për zgjedhjen e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit.
Formati i takimeve është konceptuar ministër, sekretar i Përgjithshëm dhe drejtor dikasteresh.
Burime në dijeni të këtyre takimeve, treguan se bëhet fjalë për analizim të punës së deritanishme të secilës ministri, përfshirë zbatimin e prioriteteve.
Këto takime pritet të përmbyllen deri në fund të kësaj jave.
Top Channel


























