Një juri vendosi se Meta, e cila zotëron Facebook, Instagram dhe WhatsApp, ishte përgjegjëse për mënyrën se si platformat e saj rrezikuan fëmijët dhe i ekspozuan ndaj materialeve me përmbajtje seksuale dhe kontakteve me persona abuzivë.

Prokurori i Përgjithshëm i New Mexico, Raul Torrez, tha se vendimi është “historik” dhe shënon herën e parë që një shtet ka fituar një padi kundër Meta-s për çështje të sigurisë së fëmijëve.

Një zëdhënëse e Meta-s, e drejtuar nga kryetari dhe drejtori ekzekutiv Mark Zuckerberg, tha se kompania nuk pajtohet me vendimin dhe synon ta apelojë atë.

Ajo u shpreh: “Ne punojmë fort për të mbajtur njerëzit të sigurt në platformat tona dhe jemi të qartë për sfidat e identifikimit dhe largimit të aktorëve të këqij dhe përmbajtjes së dëmshme. Ne mbetemi të bindur në rekordet tona për mbrojtjen e adoleshentëve online.”

Juria konstatoi se Meta kishte shkelur Ligjin për Praktikat e Padrejta të New Mexico, sepse kishte mashtruar publikun për sigurinë e platformave të saj për përdoruesit e rinj.

Gjatë një gjyqi që zgjati shtatë javë, juria u njoh me dokumente të brendshme të Meta-s dhe dëgjoi dëshmi nga ish-punonjës, të cilët treguan se kompania kishte qenë në dijeni për praninë e abuzuesve të fëmijëve në platformat e saj.

Arturo Béjar, një ish-drejtues inxhinierik në Meta që u largua nga kompania në vitin 2021 dhe u bë sinjalizues (whistleblower), dëshmoi për eksperimente që kishte kryer në Instagram, të cilat treguan se përdoruesve nën moshë u shfaqej përmbajtje e seksualizuar.

Ai tha se edhe vajza e tij e mitur ishte kontaktuar nga një i panjohur në Instagram me propozime me natyrë seksuale.   /os/