Këshilli Bashkiak ka miratuar Planin Strategjik “Kontrata e Qytetit për Klimën”, një dokument kyç që përcakton drejtimin e qytetit drejt arritjes së neutralitetit klimatik.

Ky vendim vjen në mbështetje të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore” dhe në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me Komisioni Europian për çështjet që lidhen me neutralitetin klimatik. Shqipëria, si pjesë e programit Horizon Europe, ka shprehur angazhimin institucional për të përmbushur kriteret e Misionit Europian për Qytetet Klimatike.

Bashkia Elbasan është pjesë e Platformës së Këshilli i Evropës dhe e Misionit të Qyteteve Klimatike të BE-së, i cili synon që deri në vitin 2030 të mbështesë qytetet drejt arritjes së neutralitetit klimatik përmes inovacionit, bashkëpunimit dhe zgjidhjeve të qëndrueshme urbane.

Në vijim të angazhimeve të mëparshme, Këshilli Bashkiak kishte miratuar që në vitin 2022 metodologjinë për ndjekjen e këtij misioni, ndërsa procesi është mbështetur më tej nga programi NetZeroCities, përmes ekspertëve teknikë dhe financiarë.

Plani Strategjik parashikon që qyteti i Elbasanit të arrijë një ulje prej 80% të emetimeve të gazeve serrë deri në vitin 2030, krahasuar me nivelin e vitit 2015, në përputhje me objektivat e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane. Ky transformim përfshin të gjithë territorin bashkiak dhe realizohet përmes 34 ndërhyrjeve strategjike, me synimin për të reduktuar mbi 111 mijë ton CO₂ në vit.

“Kontrata e Qytetit për Klimën” përbëhet nga tre dokumente kryesore: angazhimi i aktorëve lokalë dhe qendrorë, Plani i Veprimit dhe Plani i Investimeve. Ky i fundit përfshin një listë të gjerë projektesh të ndara në gjashtë fusha kryesore, si energjia, transporti dhe mobiliteti, ndërtesat, menaxhimi i ujërave dhe mbetjeve, bujqësia dhe zgjidhjet e bazuara në natyrë, si dhe qeverisja dhe ndërgjegjësimi publik.

Në kuadër të këtij procesi, theksohet rëndësia e mobilizimit të burimeve financiare nga aktorë të ndryshëm, përfshirë Bashkimin Evropian, qeverinë qendrore, organizatat ndërkombëtare dhe sektorin privat. Bashkia Elbasan mbetet aktori kryesor lokal në koordinimin, zbatimin dhe monitorimin e këtij plani.

Miratimi i këtij plani strategjik shënon një hap të rëndësishëm drejt një zhvillimi të qëndrueshëm dhe një të ardhmeje më të gjelbër për qytetin e Elbasanit, duke e pozicionuar atë mes qyteteve që synojnë të jenë klimë-neutrale deri në vitin 2030.