Nga Edlira Xherri

Qendra e Artit në Teatri Skampa vijon të dëshmojë përkushtimin e saj për të sjellë në skenë produksione cilësore dhe për të mbajtur gjallë jetën kulturore në qytet. Një tjetër premierë e shumëpritur po afron, duke rikthyer publikun elbasanas në sallën e teatrit me një komedi plot ritëm, energji dhe humor.

Bëhet fjalë për shfaqjen “NUK DËGJOJ, NUK SHIKOJ, NUK FLAS”, një produksion që premton të sjellë të qeshura pa fund përmes situatave absurde dhe keqkuptimeve të njëpasnjëshme. Nën regjinë e Donard Hasani, me skenografi dhe kostume nga Lardia Hajdari dhe muzikë nga Ardit Serica, shfaqja vjen si një ofertë e kuruar me kujdes për publikun artdashës.

Në skenë do të interpretojnë emra të njohur të teatrit shqiptar si Laerti Vasili, Hervin Çuli, Helidon Fino dhe Atalanta Kërçuku, të cilët garantojnë një performancë dinamike dhe plot jetë.

Shfaqja do të ngjitet në skenë në datat 2, 3, 4 dhe 5 prill, ora 19:00, në ambientet e Teatrit “Skampa”. Interesi i publikut ka qenë i lartë, me biletat që po shiten me shpejtësi, çka dëshmon edhe njëherë etjen e qytetarëve për art dhe argëtim cilësor.

Përmes kësaj premiere, Qendra e Artit Elbasan jo vetëm që sjell një tjetër produksion të suksesshëm, por edhe forcon misionin e saj për të ofruar teatër cilësor dhe për të afruar gjithnjë e më shumë publikun me skenën.

Nëse ke nevojë për të qeshur dhe për të përjetuar një mbrëmje ndryshe, kjo komedi është zgjedhja ideale. Rezervimet vijojnë, ndërsa skena e “Skampës” është gati të mirëpresë publikun elbasanas.