Gjatë një takimi me kryetarët e bashkive, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Demo theksoi se procesi po ecën sipas planit dhe në përputhje me objektivat e vendosura nga qeveria.

“Mbi 50% e bashkive tashmë kanë miratuar zonat prioritare dhe bashkitë e tjera janë në proces për ta përmbyllur këtë fazë sa më parë”, u shpreh ai.

Ministri bëri të ditur se aktualisht bashkitë ndodhen në fazën 45-ditore të shqyrtimit të aplikimeve, duke shtuar se progresi është i dukshëm.

“Bashkitë janë në fazën 45 ditore të shqyrtimit të aplikimeve dhe procesi po përparon për përmbushjen e objektivave që ka vendosur qeveria për këtë nismë”, tha Demo.

Sipas tij, deri tani janë identifikuar 272 zona prioritare në 32 bashki, ndërsa numri i aplikimeve ka kaluar mbi 500 dhe pritet të rritet më tej me miratimin e zonave të tjera në bashkitë e tjera.

Demo nënvizoi gjithashtu se synohet kalimi në fazën e dytë të procesit, e cila lidhet me miratimin e zonave të reja prioritare, bazuar në kërkesat e bashkive që kanë përfunduar tashmë fazën e parë.

“Synojmë të kalojmë në fazën e dytë të procesit, që është miratimi i zonave të reja prioritare, mbi bazën e kërkesave të bashkive që e kanë përmbyllur tashmë fazën e parë”, përfundoi ai.

/e.xh/a.f/