ATSH-DPA/- Sipas të dhënave të Komisionit Evropian të përditësuara dje pasdite, çmimi i benzinës në Gjermani ka regjistruar një rritje më të fortë se në shumicën e vendeve fqinje të Bashkimit Evropian, gjatë ditëve të fundit.

Në periudhën 30 mars – 6 prill, çmimi i benzinës në Gjermani u rrit me rreth 11 centë për litër (12 centë amerikanë), ndërsa në shumicën e vendeve fqinje rritjet ishin minimale.

Danimarka regjistroi një rritje të ngjashme prej rreth 9 centësh, ndërsa çmimet në Poloni dhe Austri ranë për shkak të masave qeveritare.

Periudha e mbuluar nga të dhënat përkon me hyrjen në fuqi të “rregullit të mesditës” në Gjermani, sipas së cilës pikat e karburanteve lejohen të rrisin çmimet vetëm një herë në ditë, ndërsa uljet mbeten të pakufizuara.

Kritikët e politikës, e cila është modeluar sipas sistemit austriak, paralajmëruan se kjo mund të nxisë rritje më të larta të çmimeve, duke argumentuar se tregtarët e karburanteve mund të rrisin çmimet më shumë në mesditë, për të mos pasur mundësi rritjeje më vonë.

Shoqata ADAC raportoi rritje mesatare çmimesh mbi 10 centë në të gjithë vendin gjatë ditëve të para, pas hyrjes në fuqi të rregullit.

Nuk është ende e qartë nëse rritja më e madhe e çmimeve në Gjermani lidhet drejtpërdrejt me këtë masë apo nëse do të vazhdojë.

Në fillim të luftës në Iran, të dhënat e Komisionit Evropian gjithashtu treguan një rritje “të veçantë” në Gjermani, e cila më pas u normalizua.

Një zëdhënës i Ministrisë së Ekonomisë deklaroi, një javë pas hyrjes në fuqi të rregullit, se ishte ende herët për të nxjerrë përfundime të qarta.

Deri tani, efekti duket i kufizuar vetëm te çmimin e benzinës. Çmimi i naftës (diesel) gjithashtu u rrit gjatë periudhës, por Gjermania nuk bëri dallim – krahasuar me vendet e tjera, përjashtuar ato vende që kanë marrë masa të reja për kontrollin e çmimeve, si Polonia dhe Austria. //a.i/