
ATSH-DPA/- Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance deklaroi se Libani nuk përfshihet në marrëveshjen e armëpushimit të arritur mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, ndërsa Izraeli vazhdon sulmet në territorin libanez.
“Ky është një keqkuptim i arsyeshëm, por as ne dhe as izraelitët nuk kemi thënë ndonjëherë se Libani do të ishte pjesë e armëpushimit”, tha JD Vance gjatë një vizite në Budapest.
“Marrëveshja është e fokusuar te Irani dhe te aleatët e SHBA-së, përfshirë Izraelin dhe shtetet arabe të Gjirit”, shtoi ai.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur Izraeli po vijon operacionet ushtarake në Liban.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, të paktën 182 persona janë vrarë dhe 890 të tjerë janë plagosur.
JD Vance shtoi se do të informohet më tej për situatën, por sipas tij, Izraeli ka shprehur gatishmërinë për të qenë disi më i vetëpërmbajtur në veprimet në Liban, në mënyrë që të mos dëmtohet procesi i negociatave.
Ndërkohë, SHBA-ja dhe Irani kanë rënë dakord për një pauzë dyjavore të luftimeve dhe rihapjen e përkohshme të Ngushticës së Hormuzit, në kuadër të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Pakistani për të shmangur një përshkallëzim të madh të konfliktit, të paralajmëruar më herët nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Megjithatë, ka mospërputhje në interpretimin e marrëveshjes. Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif deklaroi se pakti përfshin edhe Libanin, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka kundërshtuar këtë, duke theksuar se armëpushimi i referohet vetëm konfliktit SHBA–Iran dhe jo operacioneve kundër Hezbollahut.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane i konsiderojnë sulmet izraelite ndaj Hezbollahut si shkelje të marrëveshjes.
Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad-Bagher Ghalibaf ka shprehur dyshime për vlefshmërinë e negociatave me SHBA-në, duke akuzuar Uashingtonin për shkelje të premtimeve që në fillim të procesit.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian i cilësoi sulmet izraelite në Liban, si të papajtueshme me marrëveshjen e armëpushimit dhe paralajmëroi për një përgjigje të ashpër, në rast të shkeljeve të mëtejshme. //a.i/


























