/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka kujtuar sot 180-vjetorin e lindjes së poetit rilindas, Naim Frashëri duke e lidhur atë me rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit europian.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shprehet se “është një mister i gëzueshëm që drita jeshile për çeljen e fazës mbyllëse të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkim Europian, të vezullojë në harkun e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, udhërrëfyesit gjenial të aspiratës sonë shekullore drejt ‘Diellit që lind andej nga perëndon’”.

“Me mirënjohje të madhe e kujtojmë në këtë 25 maj ‘Shqipëribërësin’ e madh dhe të pavdekshëm, duke e thirrur Orën e Mirë të shpirtit të tij për ditët e mira që paskëtaj vijnë për kombin e për shtetin tonë”, shprehet Rama.

Kryeministri thekson më tej se, “me punën tonë të përbashkët, nën dritën e amanetit të tij dhe rilindësve tanë, e me ndihmën e Zotit, Shqipëria 2030 do ta kurorëzojë atë vit të 130-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit si Vitin Europian të Naimit, vitin e ‘Diellit që lind andej nga perëndon’”.

“Dhe nëse, siç tha Konica, kur u shtie në dhé Naimin e përcollën 300 shqiptarë, në Shqipërinë 2030 Shqipëribërësin e madh do ta kremtojë i gjallë një popull i tërë, i bërë njësh me familjen e Europës së Bashkuar”, përfundon postimin e tij kryeministri Rama, i cili ndau edhe një foto të poetit Naim Frashëri.

/a.f/