Rama shprehu krenarinë për Shqipërinë çdo hap e më shumë Europiane.

Në konferencën për shtyp me Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos dhe Zëvendësministren për Çështjet Europiane e Qipros, Marilena Raouna, Rama foli për dashurinë e Shqipërisë ndaj Bashkimit Evropian.

“Jeni të rinj, nuk e dini ende vlerën e dashurisë. Duhet të shihni e të mësoni nga dashuria e Shqipërisë për Bashkimin Europian, dashuri e pashtershme, pa kushte”, tha Rama.

“Ne i çelëm të gjithë kapitujt brenda 11 muajve. Ndihemi të energjizuar, të inkurajuar, por gjithashtu edhe me më shumë përgjegjësi. Të kesh Bashkimin Evropian nga ana jote, është një garanci. Dhe ne do të jemi anëtarë të kësaj familjeje brenda kësaj dekade. Jam shumë, shumë i bindur që Marta nuk do të heq dorë”, tha më tej Rama.

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos theksoi në fjalën e saj se, “ky është momenti për të kremtuar, por edhe për të intensifikuar punën. Ne do të vazhdojmë të mbështesim punën dhe vizionin e Shqipërisë për të mbyllur negociatat në vitin 2027”.

“Do të doja të përgëzoja qeverinë shqiptare, autoritetet, institucionet dhe qytetarët për përkushtimin dhe vendosmërinë e tyre për të çuar përpara reformat, reforma të vështira. E dimë që procesi i anëtarësimit është një rrugëtim i mundimshëm, por një rrugëtim që ia vlen dhe që kanë dëshmuar një angazhim kaq të qartë ndaj një të ardhmeje të përbashkët europiane”, tha zëvendësministrja për Çështjet Europiane e Qipros, Marilena Raouna.

Konferenca ndërqeveritare u zhvillua pas vendimit të miratuar nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER), i cili konfirmoi plotësimin e Kushteve të Ndërmjetme në Grupkapitullin “Themelorët”, si dhe përcaktoi Kushtet për Mbylljen e negociatave për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.

/gj.m/a.f/