Sipas ushtrisë izraelite dhe shërbimit të sigurisë “Shin Bet”, objektiv i sulmit ishin disa ndërtesa që përdoreshin si strehë nga Odeh, pas disa muajsh monitorimi të lëvizjeve të tij.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e cilësoi Odeh si “një nga arkitektët e masakrës së 7 tetorit”.
Burime mjekësore palestineze raportuan se të paktën tre persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmi, i cili goditi një ndërtesë banimi, në një nga zonat më të frekuentuara tregtare të Qytetit të Gazës, në prag të festës së Kurban Bajramit.
Dëshmitarët thanë se ndërtesa u godit nga disa raketa pothuajse njëkohësisht, ndërsa ekipet e shpëtimit hasën vështirësi për shkak të dëmeve të mëdha dhe mbipopullimit në zonë.
Hamasi nuk ka reaguar menjëherë ndaj deklaratave izraelite.
Ky është ndër sulmet më të fundit në Rripin e Gazës, pavarësisht armëpushimit të hyrë në fuqi në tetor.
Hamasi ka akuzuar vazhdimisht Izraelin, për shkelje të armëpushimit dhe sulme ndaj civilëve, ndërsa Izraeli ka këmbëngulur se zotëron të drejtën të godasë anëtarët e grupit militant.
Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, mbi 72 800 persona janë vrarë që nga fillimi i ofensivës izraelite pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku në Izrael, u vranë rreth 1 200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë. //a.i/



























