ATSH/- Në një kohë kur destinacionet tradicionale të Mesdheut po përballen me mbipopullim turistësh dhe çmime gjithnjë e më të larta, Shqipëria po fiton terren, si një nga alternativat më tërheqëse për pushimet verore në Evropë, shkruan media spanjolle “OkDiario”.

Mediet ndërkombëtare po e rendisin Shqipërinë mes destinacioneve më të preferuara të momentit, duke vlerësuar kombinimin e plazheve të mrekullueshme, trashëgimisë kulturore, natyrës së paprekur dhe kostove më të ulëta krahasuar me vende si Greqia, Spanja apo Italia.

Për vite me radhë, Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara të Evropës.

Sot, pikërisht kjo karakteristikë po shndërrohet në një nga avantazhet e saj më të mëdha turistike.

Vendi ofron një vijë bregdetare mahnitëse, histori të pasur dhe çmime që të kujtojnë destinacionet mesdhetare të një dekade më parë.

Ajo që deri vonë konsiderohej një vend sekret, i njohur vetëm nga turistët më aventurierë, po kthehet gradualisht në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar.

Megjithatë, me rritjen e popullaritetit lind edhe shqetësimi se Shqipëria mund të përballet në të ardhmen, me të njëjtat sfida që karakterizojnë destinacionet më të frekuentuara turistike të Evropës.

Vizitorët që udhëtojnë për herë të parë në Shqipëri shpesh përjetojnë një ndjesi familjariteti.

Plazhet e jugut, veçanërisht në Ksamil, krahasohen shpesh me ishujt grekë për shkak të ujërave të kristalta dhe ngjyrave të tyre turkeze.

Megjithatë, ndryshe nga shumë destinacione të njohura mesdhetare, këto zona vazhdojnë të ofrojnë më pak mbipopullim dhe çmime më të përballueshme.

Bregdeti shqiptar ndërthur elementë që të kujtojnë vende të ndryshme të rajonit.

Disa pjesë të tij ngjasojnë me vijën bregdetare të Kroacisë, ndërsa atmosfera, gastronomia dhe ritmi i jetës të sjellin ndër mend jugun e Italisë.

Kjo ndërthurje e veçantë krijon një eksperiencë të njohur, por njëkohësisht autentike.

Një nga elementët që e dallon Shqipërinë, është ruajtja e karakterit të saj origjinal.

Ndryshe nga shumë destinacione të zhvilluara turistikisht, vendi vazhdon të ofrojë përvojën e një udhëtimi të vërtetë, ku jo gjithçka është ndërtuar ekskluzivisht për turistët.

Pikërisht ky autenticitet tërheq vizitorët, që kërkojnë të zbulojnë vende të reja, larg itinerareve të zakonshme.

Përveç Ksamilit, destinacione si Himara dhe Borshi po fitojnë gjithashtu popullaritet.

Këto zona ofrojnë plazhe më të qeta, më pak të mbipopulluara dhe një ritëm jetese më të ngadaltë, ideale për ata që kërkojnë relaks dhe kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën.

Por, Shqipëria nuk ofron vetëm det.

Në brendësi të vendit gjenden destinacione me vlera të jashtëzakonshme historike dhe natyrore.

Berati, pjesë e listës së trashëgimisë botërore të UNESCO, tërheq vizitorët me arkitekturën karakteristike dhe lagjet e tij historike.

Ndërkohë, Syri i Kaltër mbetet një nga mrekullitë natyrore më të vizituara të vendit, falë ujërave të kristalta dhe ngjyrës së tij unike.

Ky kombinim i bregdetit, natyrës, historisë dhe autenticitetit, po e shndërron Shqipërinë, në një nga destinacionet turistike, me rritjen më të shpejtë në Evropë, duke tërhequr çdo vit një numër gjithnjë e më të madh vizitorësh nga e gjithë bota. //a.i/