Ekipi i Elbasanit është shpallur kampion në volejboll për djem në edicionin e katërt të aktivitetit kombëtar “Ekipet Sportive në Shkolla” – Ekipet Elitë 2026.
Në finalen e zhvilluar në Pallatin e Sportit “Feti Borova” në Tiranë, volejbollistët elbasanas arritën të mposhtin ekipin e Shkodrës me rezultatin 2-1, duke kurorëzuar me sukses një sezon të shkëlqyer dhe duke sjellë një tjetër trofe për sportin elbasanas.
Ky aktivitet organizohet nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar në bashkëpunim me klubet sportive dhe synon evidentimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në sport.
Suksesi i ekipit të Elbasanit vlerësohet si fryt i punës së sportistëve, trajnerëve dhe drejtuesve sportivë, ndërsa pritet të shërbejë si një nxitje për zhvillimin e mëtejshëm të volejbollit dhe sportit shkollor në qytet.
Urime për këtë arritje të rëndësishme sportistëve të ekipit, trajnerit Artan Shabanaj, koordinatorit të qarkut Ditmar Shpata dhe të gjithë kontribuesve në këtë sukses.




























