ATSH/ Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njoftoi se përmes Skemës Kombëtare 2026 do të mbështesë fermerët për certifikimin Global G.A.P., një standard ndërkombëtar që rrit sigurinë ushqimore, cilësinë dhe konkurrueshmërinë e produkteve bujqësore në tregjet vendase dhe të huaja.

Sipas AZHBR-së, skema mbulon 50% të kostove të analizave të produkteve bujqësore, bazuar në faturat tatimore të paraqitura nga aplikantët.

Për certifikimin individual, fermerët me sipërfaqe jo më pak se 1 hektar mund të përfitojnë mbështetje financiare deri në 175 mijë lekë.

Ndërsa për certifikimin në grup me minimumi 10 fermerë të përfshirë, subvencioni arrin deri në 500 mijë lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 hektarë në ambiente të mbrojtura ose 10 hektarë në fushë të hapur.

Për grupet me të paktën 20 fermerë, mbështetja financiare shkon deri në 700 mijë lekë, për sipërfaqe jo më pak se 15 hektarë në ambiente të mbrojtura ose 30 hektarë në fushë të hapur.

AZHBR thekson se kjo masë synon të nxisë përmirësimin e standardeve të prodhimit, rritjen e besueshmërisë së produkteve shqiptare dhe zgjerimin e mundësive për eksport.

“Për asistencë gjatë procesit të aplikimit, fermerët mund t’u drejtohen Agropikave, zyrave rajonale të ekstensionit bujqësor ose strukturave të AZHBR-së në të gjithë vendin”, njofton AZHBR.

/e.xh/j.p/