Nxitjen më të madhe për këtë model e ka sjellë Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026, e cila për herë të parë ka vendosur në qendër të vëmendjes Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB), duke u ofruar atyre financim 100% të masave mbështetëse.

Në Katund të Ri është krijuar një nga shoqëritë më të reja të bashkëpunimit bujqësor në vend. Tetë fermerë kanë vendosur të mos punojnë më secili më vete, por të ndërtojnë një sipërmarrje të përbashkët mbi 260 hektarë tokë bujqësore.

Ekipi i ATSH-së takoi dhe bashkëbisedoi nga afër me Flori Ballën, kryetar i Shoqërisë së Bashkëpunimit Bujqësor për “Drithërat”, i cili e sheh këtë hap si një mundësi për të ndryshuar të ardhmen e fermës së tij dhe të fermerëve të tjerë.

“Shoqëria jonë është krijuar së fundmi, e nxitur edhe nga Skema Kombëtare për të përfituar nga masat mbështetëse dhe subvencionet. Jemi tetë fermerë dhe punojmë në rreth 260 hektarë tokë ku kultivojmë katër kultura kryesore: grurë, misër, fasule dhe bimë foragjere për blegtorinë”, tregon ai.

Nga larg duket si një fushë e zakonshme bujqësore, por pas saj qëndron një organizim i ri. Makineritë përdoren më me efikasitet, kostot ndahen mes fermerëve dhe fuqia negociuese në treg rritet ndjeshëm.

“Përmes bashkëpunimit synojmë të rrisim prodhimin, të zgjerojmë tregjet dhe të përfitojmë më shumë mbështetje, jo vetëm nga skemat kombëtare, por edhe nga instrumente të tjera që qeveria vë në dispozicion të fermerëve”, thotë Balla.

Ky model po përhapet gradualisht në të gjithë vendin. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, deri tani numëron 84 Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor. Njëzet e gjashtë prej tyre janë ngritur me mbështetjen e bashkive, ndërsa 58 të tjera janë krijuar me iniciativën e vetë fermerëve.

Nga ullishtat e Beratit e Vlorës, te parcelat me qepë në Korçë, arrat në Kolonjë apo bimët aromatike në Malësinë e Madhe, modeli i bashkëpunimit po shihet si një mënyrë për të kapërcyer fragmentimin e fermave shqiptare dhe për të rritur konkurrueshmërinë e tyre.

Ekspertët e sektorit vlerësojnë se fermerët e organizuar në shoqëri kanë më shumë mundësi të sigurojnë kontrata të qëndrueshme shitjeje, të investojnë në teknologji moderne dhe të hyjnë në tregje më të mëdha. Njëkohësisht, kjo formë bashkëpunimi mund të ulë deri në 25% humbjet në prodhim, duke rritur të ardhurat për familjet fermere.

Por Skema Kombëtare nuk mbështet vetëm bashkëpunimin. Në të njëjtën zonë, në Katund të Ri, blegtori Endrit Pisha është shembulli i një fermeri që prej vitesh përfiton nga mbështetja direkte për tufën bazë të gjedhit.

Në fermën e tij, ku kujdesi për bagëtinë fillon që në orët e para të mëngjesit, subvencionet janë kthyer në një mbështetje konkrete për zhvillimin e aktivitetit.

“Kam prej vitesh mbështetje nga shteti për tufën bazë. Aktualisht kam disa krerë lopë dhe prodhimin e qumështit e dorëzoj në pikën e grumbullimit. Kjo mbështetje më ka ndihmuar të ul kostot dhe të planifikoj shtimin e fermës me krerë të rinj”, shprehet ai.

Për vitin 2026, skema parashikon 12 mijë lekë mbështetje për çdo krerë lopë apo mëshqerrë për fermat me 5 deri në 50 krerë, ndërsa bashkimet e operatorëve përfitojnë mbështetje të plotë, 100% financim.

Ndërkohë, specialistët e bujqësisë janë shpërndarë në terren për të ndihmuar fermerët në procesin e aplikimit. Në Agropikat e ngritura pranë zonave rurale, interesi është rritur ndjeshëm, teksa fermerët po shtojnë interesin për të aplikuar dhe përfituar nga masat mbështetëse dhe mundësitë që ofron skema.

Në kushtet e hapave që po hedh vendi drejt BE-së dhe rritjes së konkurrencës në tregje, modeli i Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor po shihet si një rrugë e re zhvillimi. Një model i ngjashëm me atë të vendeve të Bashkimit Evropian, ku fermerët nuk konkurrojnë me njëri tjetrin, por bashkojnë forcat për të qenë më të fortë.

Në fushat e Durrësit, kjo ide ka nisur tashmë të japë frytet e para. Dhe ndërsa afati i aplikimeve për Skemën Kombëtare 2026 mbyllet më 25 qershor, gjithnjë e më shumë fermerë po shohin te bashkëpunimi jo vetëm një mundësi për të përfituar subvencione, por një investim për të ardhmen e fermës së tyre dhe të bujqësisë shqiptare në tërësi.