Pas përfundimit të punimeve për zgjerimin e aksit rrugor, ARRSH ka nisur procedurat për realizimin e elementëve të tjerë të projektit, të fokusuar në lehtësimin e lëvizjes së banorëve që jetojnë përgjatë autostradës.
Ndërtimi i mbikalimeve do t’u mundësojë qytetarëve të kalojnë në mënyrë më të sigurt përmes pikave të dedikuara, duke shmangur rrezikun e lëvizjes në një nga akset me fluksin më të lartë të qarkullimit në vend.
Procedura e tenderimit pritet të mbyllet më 15 qershor, ndërsa pas shpalljes së fituesit do të nisë menjëherë zbatimi i punimeve.
Përveç ndërtimit të 6 mbikalimeve, projekti përfshin edhe instalimin e sistemit të ndriçimit, gjelbërimin e hapësirave përkatëse, vendosjen e barrierave akustike dhe ndërhyrje të tjera infrastrukturore plotësuese.
Gjatë një inspektimi të punimeve për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, theksoi se garantimi i aksesit për banorët që jetojnë përgjatë këtij aksi rrugor përbën një nga komponentët kryesorë të projektit.
Sipas tij, synohet që këto ndërhyrje të përfundojnë brenda muajit shtator, në mënyrë që me nisjen e vitit të ri shkollor të jenë plotësisht funksionale dhe të aksesueshme për qytetarët. /j.p/



























