Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), rritja e çmimeve gjatë dy muajve të fundit lidhet kryesisht me shtrenjtimin e karburanteve.

Në këtë rritje kanë ndikuar zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, të lidhura me tensionet në Lindjen e Mesme, të cilat kanë sjellë rritje të kostove të energjisë dhe një efekt zinxhir në produkte dhe shërbime të tjera në ekonomi.

Një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e çmimeve është edhe shtimi i fluksit të turistëve, i cili ka ndikuar në rritjen e kërkesës dhe si rrjedhojë në shtrenjtimin e shërbimeve të strehimit dhe akomodimit në disa zona të vendit.

Në krahasim me një vit më parë, çmimet janë rritur më shumë në transport, energji, qira dhe shërbime financiare. Transporti ka shënuar rritjen më të madhe me 7,8%, ndërsa sigurimet dhe shërbimet financiare janë rritur me 4,9%. Po ashtu, qiraja, energjia, uji dhe karburantet janë shtrenjtuar me 4,2%.

Rritje janë regjistruar edhe në restorante, hotele dhe shërbime të tjera, si dhe në produktet e kujdesit personal dhe pijet alkoolike e duhanin.

Ndërkohë, ushqimet dhe pijet joalkoolike, që zënë peshën më të madhe në shpenzimet e familjeve shqiptare, janë 2,2% më të shtrenjta se një vit më parë.

Krahasuar me muajin prill, niveli i çmimeve ka shënuar një rënie shumë të lehtë prej 0,04%, kryesisht si pasojë e uljes së çmimeve të veshjeve dhe këpucëve, si dhe një rënie të lehtë të ushqimeve dhe transportit.

/r.e/