ATSH/- Shqipëria po konfirmohet si një nga destinacionet më tërheqëse turistike të verës 2026, jo vetëm për peizazhet dhe bregdetin e saj, por edhe për kostot gjithnjë e më konkurruese të udhëtimit, shkruan Anna Duplantis në një artikull të botuar në median franceze “Ulysse”.
Sipas barometrit të publikuar nga platforma turistike “Digitrips” dhe media franceze e udhëtimit “L’Écho Touristique”, çmimet e biletave ajrore drejt Shqipërisë, kanë pësuar një rënie të ndjeshme prej 31%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke e renditur vendin mes destinacioneve me uljen më të madhe të tarifave në tregun francez.
Raporti thekson se Shqipëria po fiton terren në listën e destinacioneve më të kërkuara nga turistët evropianë, falë zgjerimit të linjave ajrore me kosto të ulët dhe rritjes së lidhjeve direkte me vendet e Evropës Perëndimore.
Sipas analizës, kjo rënie e çmimeve u ofron turistëve mundësinë, të zgjedhin destinacionin mesdhetar me kosto të përballueshme, në një kohë kur shumë vende të tjera të rajonit, po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta.
Ekspertët e turizmit vlerësojnë se Shqipëria vazhdon të ofrojë një nga raportet më të mira çmim-cilësi në Mesdhe, duke kombinuar plazhe me ujëra të kristalta, natyrë të paprekur dhe çmime më të ulëta, krahasuar me destinacionet tradicionale turistike.
Barometri nënvizon se ulja e tarifave nuk lidhet vetëm me konkurrencën mes kompanive ajrore, por edhe me përpjekjet për të nxitur kërkesën, në një periudhë kur rezervimet po ecin më ngadalë se vitet e mëparshme.
Për turistët që planifikojnë pushimet e verës, raporti sugjeron se kjo periudhë përbën një mundësi të favorshme, për të rezervuar udhëtimet drejt Shqipërisë, përpara se rritja e kërkesës të ndikojë sërish në çmimet e biletave. //a.i/



























