Agjencia për Media dhe Informim (MIA) bën me dije se masat direkte të mbështetjes përfshijnë tufa bazë e matrikulluar e gjedhit, tufa bazë e matrikulluar e të imtave, bletaria, dosa dhe/ose paradosa, kontrolli biologjik në serra, fermat organike, certifikimi Global G.A.P., mbështetje për sipërfaqet e mbjella dhe ripopullimi i peshkimit në ujërat e brendshme.
Masat e investimit përfshijnë mbështetje për fermerët e rinj, ndërtim dhe rikonstruksion stanesh dhe pajisje, makineri dhe mjete për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës.
Skema Kombëtare për vitin 2026 është hartuar pas konsultimeve dhe dëgjesave me fermerët në të gjithë vendin dhe kombinon pagesat direkte me grantet për investime.
Fondi total i saj arrin në 5,2 miliardë lekë, ndërsa synimi kryesor është përfshirja e një numri më të madh të fermave të vogla përmes uljes së pragjeve minimale të përfitimit dhe rritjes së mbështetjes financiare.
Në sektorin e blegtorisë, mbështetja për tufën bazë të matrikulluar të gjedhit rritet në 12 mijë lekë për krerë, ndërsa numri minimal i tufës ulet nga 10 në 5 krerë. Për të imtat, financimi rritet në 1 500 lekë për kre dhe pragu minimal zbret nga 100 në 50 krerë.
Për herë të parë, skema do të financojë edhe tufën bazë të matrikulluar të dosave dhe/ose paradosave me 7 mijë lekë për krerë, për fermat që kanë të paktën 5 krerë.
Mbështetje më të lartë do të përfitojë edhe sektori i bletarisë, ku financimi rritet në 20 mijë lekë për zgjua dhe kriteri minimal ulet nga 50, në 25 koshere.
Një nga risitë e këtij viti është edhe pagesa direkte për sipërfaqet e mbjella. Fermerët që kanë mbi 3 hektarë tokë të mbjellë do të përfitojnë 10 mijë lekë për hektar për të gjitha kulturat bujqësore.
Një tjetër komponent i skemës lidhet me formalizimin e tregut, ku fermerët do të përfitojnë kompensim prej 10% të vlerës së autofaturës për produktet bujqësore dhe blegtorale të shitura, në rastet kur pajisen me faturë nga grumbulluesit ose agroturizmat.
/e.i/a.f/r.e/



























