Sipas një deklarate të ushtrisë iraniane të publikuar nga mediet shtetërore, vendimi u mor për shkak të ndryshimit të situatës së sigurisë pas sulmeve të fundit amerikane. Autoritetet iraniane paralajmëruan se të gjitha anijet, përfshirë cisternat e naftës dhe anijet tregtare, e kanë të ndaluar kalimin nëpër ngushticë dhe se do të sulmohen nëse tentojnë ta bëjnë këtë.
Pak më vonë, mediet shtetërore iraniane raportuan se dy anije kishin rënë nën zjarr. Njoftimi erdhi pasi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) deklaroi se kishte nisur “sulme shtesë vetëmbrojtëse” kundër objektivave në Iran, në përgjigje të asaj që Uashingtoni e cilësoi si “agresion të pajustifikuar dhe të vazhdueshëm” nga Teherani.
Mediet iraniane raportuan shpërthime në disa qytete portuale përgjatë bregdetit jugor të vendit. Që nga fillimi i konfliktit në fund të shkurtit, Irani kishte kufizuar ndjeshëm lundrimin në Ngushticën e Hormuzit përmes kërcënimeve dhe sulmeve ndaj anijeve, ndërsa kompanitë detare detyroheshin të koordinonin kalimet me autoritetet iraniane dhe të paguanin tarifa tranziti.
Nga ana tjetër, SHBA-ja vendosi në mesin e prillit një bllokadë detare ndaj Iranit, me synimin për të reduktuar të ardhurat e vendit nga eksportet e naftës. Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme në botë për eksportin e naftës, gazit natyror të lëngshëm dhe plehrave kimike./ /Ad.Ab./ a.jor.



























