ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të mbyllë sot samitin e G7-tës në Francë, ndërsa përballet me skepticizëm në rritje për marrëveshjen e arritur me Iranin, e cila sipas tij do t’i japë fund konfliktit dhe do të garantojë që Republika Islamike të mos sigurojë kurrë armë bërthamore, raportoi AP.
Gjatë samitit, Trump është përpjekur të bindë liderët botërorë dhe opinionin publik për vlerën e marrëveshjes, pavarësisht faktit se as Shtëpia e Bardhë dhe as autoritetet iraniane, nuk kanë publikuar ende tekstin e plotë të dokumentit. Marrëveshja pritet të nënshkruhet zyrtarisht të premten në Zvicër.
“Është një dokument i shkëlqyer”, deklaroi Trump, duke theksuar se pika kryesore e marrëveshjes është ndalimi i plotë i Iranit për të zotëruar, blerë apo zhvilluar armë bërthamore.
Megjithatë, presidenti amerikan përballet me kundërshtime jo vetëm nga kundërshtarët politikë, por edhe nga një pjesë e republikanëve, të cilët kanë vënë në dyshim nëse marrëveshja është mjaftueshëm e fortë, për të neutralizuar programin bërthamor iranian.
Në të njëjtën kohë, shqetësime janë shfaqur edhe në Izrael, një prej aleatëve më të afërt të Uashingtonit në Lindjen e Mesme.
Mospajtimet janë shtuar edhe për interpretimin e kushteve të marrëveshjes. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi deklaroi se vazhdimi i pranisë ushtarake izraelite në jug të Libanit, do të përbënte shkelje të frymës së marrëveshjes, duke argumentuar se lufta nuk mund të konsiderohet e përfunduar pa tërheqjen e forcave izraelite nga territoret e pushtuara gjatë konfliktit.
Nga ana tjetër, Trump u shpreh se një operacion i mundshëm izraelit kundër Hezbollahut nuk do ta rrëzonte domosdoshmërisht marrëveshjen, por nuk fshehu pakënaqësinë ndaj mënyrës se si Izraeli ka menaxhuar konfliktin në Liban.
“Po zgjat pafundësisht”, tha presidenti amerikan, duke shtuar se luftimet kanë shkaktuar shumë viktima dhe se Izraeli po e vazhdon konfliktin me Hezbollahun më gjatë seç duhet.
Një tjetër sfidë për Trump mbetet, premtimi i tij për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme energjetike në botë.
Komuniteti ndërkombëtar pret që marrëveshja me Iranin të garantojë rikthimin e qarkullimit normal të anijeve cisternë të naftës, në këtë rrugë detare strategjike.
Para shpërthimit të luftës, rreth 20 për qind e tregtisë globale të naftës dhe gazit natyror kalonte përmes Hormuzit.
Mbyllja e ngushticës ka shkaktuar tronditje në tregjet energjetike dhe shqetësime për ekonominë globale.
Gjatë samitit, Trump pritet të zhvillojë një takim të rëndësishëm me kryeministrin indian Narendra Modi, në një periudhë jo të lehtë për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Tensionet janë rritur pas vrasjes së tre marinarëve indianë, gjatë një sulmi amerikan ndaj një anijeje cisternë në Gjirin e Omanit, incident për të cilin Nju Delhi ka paraqitur protestë zyrtare.
Marrëdhëniet SHBA-Indi janë ndikuar gjithashtu nga tarifat tregtare, të vendosura nga Trump, si dhe nga ndikimi që lufta me Iranin ka pasur në furnizimin energjetik të Indisë.
Në Nju Delhi ekziston gjithashtu shqetësimi se afrimi i fundit mes Trump dhe presidentit kinez, Xi Jinping mund të zbehë rëndësinë e Indisë, si një alternativë prodhimi për kompanitë perëndimore.
Presidenti amerikan do të zhvillojë gjithashtu bisedime dypalëshe me presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sisi.
Liderët e G7-tës kanë diskutuar me Egjiptin, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, mundësitë për krijimin e rrugëve alternative të furnizimit me energji nga Gjiri Persik, duke reduktuar varësinë nga Ngushtica e Hormuzit.
Samiti i G7-tës përmbyllet sot me diskutime mbi inteligjencën artificiale dhe rritjen ekonomike globale.
Pas përfundimit të takimeve, Trump do të marrë pjesë në një darkë zyrtare, të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron në Pallatin e Versajës, përpara se të kthehet në Uashington.
Presidenti amerikan e ka cilësuar ftesën si një nder të veçantë, duke thënë se vendosi të zgjasë qëndrimin e tij në Francë pikërisht për këtë takim. //a.i/



























