ATSH/ Në një kohë kur sapo është zhvilluar në Fier, Festa e Grurit, kujtojmë me fotografi arkivi këtë traditë, një më të vjetrat në zonat bujqësore shqiptare, zakonisht e zhvilluar me përfundimin e korrjeve.

Në arkivin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare gjenden shumë foto të korrjes së grurit, ngjarje me shumë rëndësi për fshatarët por edhe gjithë popullsinë.

Pamjet dokumentojnë jo vetëm procesin e korrjes, por edhe atmosferën e gëzimit kolektiv. Mes fotografive që përzgjodhëm shihen jo vetëm persona që punojnë duke mbledhur kallinjtë, apo duke ngritur thasët me grurë, por edhe nga ata që kanë pozuar të qeshur për fotografin si një dëshmi e rëndësishme e kulturës rurale dhe të rolit qendror që bujqësia ka pasur në jetën ekonomike e shoqërore të vendit.

Fotografitë e përzgjedhura i përkasin vitit 1947 dhe vitit 1948, menjëherë pas Reformës Agrare të vitit 1946, një ngjarje që ndryshoi rrënjësisht strukturën shoqërore dhe ekonomike në vend, duke sjellë shtetëzimin e pronave të mëdha dhe shpërndarjen e tokës falas për fshatarët.