ATSH/ Fshati turistik i Thethit, i ndodhur 70 km larg Shkodrës, është një nga më të vizituarit nga turistë vendas e të huaj.
Këto ditë vere, Thethi është i mbushur plot me turistë, të cilët tregojnë interes për pasuritë natyrore të kësaj zone si dhe trashëgiminë kulturore dhe historike.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga turistët e shumtë që kanë preferuar Thethin në këto ditë të nxehta vere
Thethi, pjesë e Alpeve Shqiptare, është kthyer vitet e fundit në një pikë referimi për turizmin e aventurës dhe natyrës, duke tërhequr vizitorë vendas dhe të huaj që kërkojnë eksperienca autentike në zemër të maleve.
Pikat kryesore që turistët vizitojnë në Theth janë monumentet e natyrës si, Syri i Kaltër, vaskat në Ndërlysë, ujëvara e Grunasit, kanioni i Grunasit, shtegu Theth-Valbonë, shpella e Arapit, shtegu i Bjeshkëve të Namuna etj.
Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.





























