Me këtë arritje, vendi bëhet i treti në botë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, që realizon lëshime orbitale përmes kompanive private.

Kompania “Skyroot Aerospace” njoftoi se fluturimi i parë testues i raketës “Vikram-1” përfundoi me sukses, duke vendosur ngarkesat e saj në një orbitë rreth 450 kilometra mbi Tokë. Pas misionit, kompania publikoi mesazhin: “ORBIT ACHIEVED” (“Orbita u arrit”).

Lëshimi kishte si qëllim testimin e raketës për përdorim komercial.

“Vikram-1” është projektuar për të transportuar satelitë të vegjël me peshë deri në 350 kilogramë dhe është pjesë e strategjisë së “Skyroot Aerospace” për të ofruar shërbime të shpejta lëshimi në hapësirë.

Misioni, i quajtur “Aagman”, një fjalë sanskrite që do të thotë “ardhje”, transportoi gjashtë ngarkesa, mes të cilave një krah robotik i projektuar për grumbullimin e mbetjeve hapësinore në orbitë, si dhe disa satelitë të vegjël.

Raketa shumëfazore u lëshua nga Qendra Hapësinore Satish Dhawan, në bregun lindor të Indisë, ndërsa ngjarja u transmetua drejtpërdrejt nga mediat indiane.

Kryeministri Narendra Modi dhe Organizata Indiane për Kërkime Hapësinore (ISRO) përgëzuan kompaninë për suksesin.

Sipas ISRO-së, misioni përfaqëson një moment historik për sektorin privat hapësinor të Indisë dhe dëshmon rritjen e kapaciteteve të ekosistemit hapësinor të vendit./  /Ad.Ab./ a.jor.