ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se statusi i ushtarakëve është gati dhe shumë shpejt do të jepet edhe lajmi i shumëpritur për Forcat e Armatosura.
Kryeministri Rama ishte mbrëmjen e sotme i pranishëm në cermoninë e diplomimit të 67 oficerëve të rinj të Kursit të Përgatitjes së Oficerit në Akademinë e Forcave të Armatosura.
Rama siguroi se përkujdesja e qeverisë për ushtarakët shkon përtej thjesht dhe vetëm shpërblimit me paga dhe përtej motivimit të tyre profesional me investime.
“Më në fund mund të themi se ne jemi fare pranë realizimit edhe të një zotimi tjetër për statusin e tyre. Gjithçka është gati. Është raundi i fundit i ‘boksit’ mes Ministrit të Mbrojtjes dhe Ministrit të Financave, por në këtë rast unë që më detyrojnë të bëj arbitrin jam me Ministrin e Mbrojtjes. Kështu që edhe këtë së shpejti do ta japim si një lajm të shumëpritur nga ushtarakët”, theksoi Rama.
Kryeministri theksoi se ushtarakët kanë qenë për një kohë të gjatë shumë të nënvlerësuar.
Kjo, sipas tij, “edhe për shkak të një faze të historisë kur gjërat ndryshuan në mënyrë të rrëmbyeshme edhe gjithçka mungonte dhe dukej sikur ushtria nuk ishte më e nevojshme sepse do na mbronin të tjerët”.
“Ndërkohë që ushtarakët, pavarësisht të gjithave, vazhdonin çdo ditë t’i shërbenin detyrës edhe t’i shërbenin atdheut”, tha Rama, ndërsa vlerësoi edhe sakrificën e familjarëve të tyre.
Po ashtu, kryeministri vlerësoi rritjen e numrit të vajzave dhe djemve që aplikojnë për t’u bërë pjesë e FA-së.
“Kjo është shenja më e sigurtë e një transformimi që nuk ndalet më. Nga ana tjetër kam shumë besim që të gjithë ushtarakët sot që janë në fund të karrierës së tyre kanë diçka shumë të çmuar për të përcjellë tek më të rinjtë. Atë shpirt sakrifice që shumë të rinjve sot ju duket abstrakt ose nuk arrijnë ta perceptojnë dot. Ndërkohë që ushtarakët që janë në fund të karrierës e kanë të jetuar me vite dhe me dekada të tëra si një sakrificë e përditshme nën një uniformë që duhet të ishte gjithmonë e admiruar, por që për një periudhë jo të shkurtër kohe ishte e nënvlerësuar”, tha Kryeministri.
/a.f/



























