ATSH/ Tradita e lashtë muzikore e fyellit shqiptar po përjeton një vëmendje të jashtëzakonshme ndërkombëtare, pas përfshirjes së këtyre tingujve autoktonë në projektin kinematografik të regjisorit të mirënjohur, Christopher Nolan.

Por sipas Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, kjo traditë muzikore është dokumentuar prej dekadash edhe në dokumentarin shqiptar “Ku burojnë meloditë”, një dëshmi e çmuar e muzikës tradicionale shqiptare prej vitit 1980.

Dokumentari është digjitalizuar në rezolucion 4K dhe vetëm kjo pjesë është restauruar nga AQSHF prej specialistit Erand Meca duke i ridhënë jetë kësaj pasurie audiovizive me cilësinë më të lartë.

“Kur trashëgimia jonë kulturore frymëzon botën, misioni ynë është ta ruajmë, ta restaurojmë dhe ta bëjmë të aksesueshme për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Ruajtja e filmit është ruajtje e kujtesës”, thuhet në njoftimin e AQSHF-së.

/m.m/a.f/