ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot se vendimet e qeverisë nuk do të përjetohen si prerje në besë, ku qytetarët të ndihen të painformuar dhe të papërfillur.
Për këtë arsye Rama prezantoi dokumentin e titulluar “Besa”, një aleancë sipas tij, për të kthyer protestën e flamingove në test pjekurie të demokracisë.
“E kam titulluar me emër të vjetër dhe shumë të madh: Besa. E di që do të hapë debat, por e zgjodha edhe pse do të hapë debat. Nuk gjeta asnjë fjalë që ta thotë më qartë që vendimet të mos përjetohen më si prerje në besë, të mos ndihen si të padëgjuar e të painformuar, të papërfillur”, tha Rama.
Rama theksoi se ka shkruar po ashtu një ankes për mënyrën si PS do ta mbështesë kthesën
“E di që para se ta lexoni do të jetë hedhur në kanale sociale, i mbuluar me pupla sorrash. Beteja sot nuk është mes qeverisë dhe qytetarëve. Është mes atyre që duan një Shqipëri më të drejtë e të besueshme dhe atyre që e kanë të domosdoshme një Shqipëri të përçarë dhe pa besim te shteti. Atyre, që i patë edhe dje, të grumbulluar si një grup i vogël sorrash te foltorja e parlamentit. Edhe pse tani, bulevardi i ka lënë si zogj korbi të kategorisë së dytë”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se aleanca që na duhet është për ta mbrojtur kritikën, për ta kthyer zemërimin në ndryshim, pyetjen në provë dhe protestën nga një çast përplasjeje në një test pjekurie të demokracisë. /j.p/



























