ATSH/ Kryeministri Edi Rama, reagoi sot pasi kryetari i partisë “Mundësia”, deputeti Agron Shehaj, mori pa leje nga ambientet e Kuvendit, një kopje të marrëveshjes së huasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të klasifikuar si sekrete, duke e cilësuar veprimin si “vjedhje të një dokumenti të klasifikuar”.
Rama publikoi një video teksa shihet një punonjëse e Kuvendit duke ndjekur deputetin, e cila rrëzohet nga shkallët.
Kryeministri u shpreh se pret që prokuroria të zbatojë ligjin për rastin, ndërsa shprehu keqardhje për punonjësen e administratës që u përfshi në situatë gjatë incidentit.
“Ky tipi që vjedh një dokument të klasifikuar dhe ia fut vrapit, është një ballist që ngre dhe ul hajdut kë i del përpara, por siç e shihni sot tentoi të ikte me vrap njësoj si ballistët pasi hynin në kotec për të grabitur pula, duke na dëshmuar botërisht se vesi del me shpirtin”, u shpreh Rama.
“Uroj po nuk shpresoj që prokuroria t’i tregojë vendin e përcaktuar nga ligji për grabitësit e dokumenteve të klasifikuar këtij personazhi të mbushur me urrejtje, ndërkohë që i shpreh keqardhje vajzës së pafajshme duke falenderuar Zotin që shpëtoi pa dëme serioze nga rendja në panik pas hajdutit”, shkruan Rama.
/m.q/j.p/



























