ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar sot dy vendime për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme private që preken nga realizimi i projekteve për zgjerimin e aksit rrugor Elbasan–Qafë Thanë.
Vendimi i parë lidhet me projektin “Zgjerim i rrugës Elbasan–Përrenjas–Qafë Thanë, faza VIII”, për të cilin shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Sipas vendimit, pronarët e pasurive të llojit “ndërtesë” dhe “truall” do të kompensohen në vlerë të plotë, me një fond të përgjithshëm prej 32 491 879,7 lekësh, i cili do të përballohet nga buxheti i shtetit përmes Fondit të Shpronësimeve.
Ndërkohë, shpenzimet procedurale prej 50 mijë lekësh do të mbulohen nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Vendimi parashikon që procesi i shpronësimit të nisë menjëherë pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe të përfundojë brenda tre muajve nga hyrja e tij në fuqi. Kompensimi i pronarëve do të kryhet pasi ata të paraqesin dokumentacionin përkatës pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
Po ashtu, ARRSH do të aplikojë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për regjistrimin e gjurmës së projektit dhe kalimin e pronësisë së pasurive të shpronësuara në favor të shtetit, ndërsa deri në përfundimin e procedurave do të pezullohen të gjitha transaksionet mbi këto pasuri.
Në një vendim të dytë, qeveria miratoi shpronësimin e pronarëve të pasurive private që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i rrugës Elbasan–Qafë Thanë (faza I)”.
Për këtë projekt, kompensimi do të kryhet për sipërfaqe të kategorisë “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 278 400 lekësh, e cila gjithashtu do të financohet nga Fondi i Shpronësimeve. Edhe në këtë rast, shpenzimet procedurale prej 50 mijë lekësh do të mbulohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Vendimi përcakton se procedurat e shpronësimit do të zhvillohen sipas afateve dhe legjislacionit në fuqi, ndërsa Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të regjistrojë kalimin e pronësisë në favor të shtetit dhe do të pezullojë transaksionet mbi pasuritë e prekura deri në përfundimin e procesit.
Të dy vendimet hyjnë në fuqi menjëherë dhe botohen në “Fletoren zyrtare”.
/k.s/r.e/j.p/



























