ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale, pamje nga testimi në rrugë i mjeteve të para ushtarake “Made in Albania”, të cilat iu dorëzuan ushtrisë shqiptare.

Duke e konsideruar krenari prodhimin e parë “Made in Albania” të këtyre mjeteve ushtarake, Rama tha se ato janë prodhuar sipas standardeve të NATO-s.

Sipas Kryeministrit Rama, “kompania Timak Defence, e cila do të plotësojë të gjitha nevojat e ushtrisë shqiptare brenda 30 muajsh, ka lidhur marrëveshje me 30 vende për eksportin e tyre”.

Ditën e djeshme, gjatë ceremonisë së dorëzimit të 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri sipas standardeve të NATO-s nga kompania “Timak Defence”, Rama tha se baza e re e logjistikës do të funksionojë si një kompani e ushtrisë në mbështetje të pushtetit vendor.

Ai bëri të ditur se kompania “Timak Defence” ka marrë tashmë porosi nga rreth 30 vende, përfshirë shtete anëtare të NATO-s, si dhe organizata ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore.

“Është emocionuese të shohësh se vende të NATO-s, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore i drejtohen sot Shqipërisë për mjete të prodhuara këtu, në një vend ku dikur ishte ish-fabrika e Autotraktorëve. Kjo është dëshmi e nivelit ku po ngjitet Shqipëria edhe në industrinë e mbrojtjes”, shkruan Rama.

/e.i/a.f/