ATSH/ – Një trajtim i përdorur në raste të rënda të kolesterolit të lartë mund të ketë një efekt të papritur; filtrimin e disa substancave të dëmshme mjedisore, përfshirë PFAS dhe disa mikroplastika, nga gjaku, sipas sciencealert.com.

Bëhet fjalë për aferezën terapeutike, një procedurë në të cilën gjaku kalon përmes një sistemi filtrimi që heq substanca të caktuara dhe më pas e rikthen gjakun në trup.

Studiues nga Gjermania analizuan mostra gjaku para dhe pas procedurës te pacientë që i nënshtroheshin plazmaferezës me filtrim të dyfishtë.

Për katër lloje PFAS, të ashtuquajturat “kimikate përgjithmonë”, përqendrimet në gjak ranë deri në 25% menjëherë pas një procedure.

Në një analizë tjetër, ku u përdor një metodë e ndryshme dhe u përfshinë katër pacientë, ulja mesatare e pesë llojeve të PFAS varionte nga 43.5% deri në 75.8%.

PFAS përdoren në shumë produkte, përfshirë sipërfaqet që nuk ngjiten, tekstilet rezistente ndaj ujit dhe disa ambalazhe ushqimore.

Këto substanca mund të qëndrojnë për vite në mjedis dhe në organizmin e njeriut dhe janë lidhur me rritje të kolesterolit, ndryshime të sistemit imunitar dhe hormonal dhe me disa lloje kanceri.

Megjithatë, rreziku varet nga lloji i PFAS, doza dhe kohëzgjatja e ekspozimit.

Rezultatet për mikroplastikat ishin më të paqarta.

Te katër pacientë, nivelet e polietilenit ranë te të gjithë, ndërsa PVC-ja u ul te tre prej tyre.

Për disa lloje të tjera plastike nuk u vu re e njëjta tendencë, madje në disa raste nivelet u rritën pas trajtimit.

Studiuesit dyshojnë se një pjesë e mikroplastikave mund të kapet nga filtrat, por pajisjet e përdorura gjatë procedurës mund të jenë gjithashtu burim i grimcave plastike.

Prandaj, studiuesit nuk thonë se afereza është një metodë “detoksifikimi” nga mikroplastikat.

Studimi u krye me vetëm 14 pacientë në pjesën kryesore të kërkimit, dhe nuk dihet sa gjatë zgjasin uljet e vërejtura apo nëse ato sjellin përfitime konkrete për shëndetin.

Megjithatë, zbulimi është interesant sepse tregon se një procedurë e krijuar për të larguar lipoproteinat dhe kolesterolin nga gjaku mund të largojë njëkohësisht edhe disa ndotës që qarkullojnë në gjak.

Për ta konfirmuar këtë nevojiten studime më të mëdha, me më shumë pacientë dhe ndjekje afatgjatë. /Ad.Ab./  a.jor.