ATSH/ Kristjan Asllani është një hap larg transferimit tek “Al Jazira” në Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi klubi nga Lindja e Mesme ka arritur një marrëveshje verbale me “Interin” për mesfushorin shqiptar.

Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i njohur i merkatos, Fabrizio Romano, sipas të cilit marrëveshja mes dy klubeve parashikon huazimin e Asllanit për shumën e 2 milionë eurove.

Në marrëveshje pritet të përfshihet edhe një opsion blerjeje prej 6,5 milionë eurosh, i cili mund të shndërrohet në detyrim blerjeje nëse plotësohen kushtet e përcaktuara nga palët.

Detajet përfundimtare të transferimit ende nuk janë përcaktuar, ndërsa negociatat vijojnë edhe për kushtet personale të kontratës së futbollistit shqiptar.

Sipas Romanos, Asllani i ka dhënë dritën jeshile transferimit tek “Al Jazira”, duke i hapur rrugë avancimit të bisedimeve mes klubit italian dhe atij nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Nëse marrëveshja finalizohet, 24-vjeçari i Kombëtares shqiptare do ta mbyllë aventurën e tij me “Interin” për të nisur një kapitull të ri në karrierë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Asllani iu bashkua “Interit” në vitin 2022 nga Empoli dhe gjatë periudhës së tij në Milano ka qenë pjesë e skuadrës që ka konkurruar në nivelet më të larta të futbollit italian dhe evropian.

/gj.m/r.e/