Pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor 2026–2027, në Elbasan janë diskutuar masat për garantimin e një fillimi të sigurt dhe normal të procesit mësimor.

Në takimin me drejtues shkollash, mësues, prindër, oficerë sigurie dhe aktorë të tjerë të përfshirë në mbarëvajtjen e institucioneve arsimore, në fokus kanë qenë siguria e nxënësve, pastërtia dhe mirëmbajtja e ambienteve, si dhe situata e rrugëve dhe sinjalistikës pranë shkollave.

Këtë shtator, shkollat “Dhaskal Todri” dhe “Shushicë” do të presin nxënësit në godinat e rikonstruktuara, ndërsa Shkolla Speciale “Zëra Jete” do të nisë vitin e ri në ambiente të reja dhe bashkëkohore.

Ndërkohë, vijon puna për rikonstruksionin e plotë të shkollës “Naim Frashëri”.

Një tjetër fokus i diskutimeve ka qenë parandalimi i bullizmit dhe çdo forme dhune në shkolla, si dhe kujdesi ndaj nxënësve me aftësi ndryshe.

Institucionet synojnë që në ditën e parë të shkollës, në qytet dhe njësitë administrative, të jenë përmbushur masat e nevojshme për një proces mësimor të sigurt dhe të mirëorganizuar.