Në një postim në rrjetet sociale, teksa ka shpërndarë një pjesë nga fjala e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Kryeministri Edi Rama tha se “secili institucion në vendin e vet”.

“Fondin e pagave të pushtetit gjyqësor e propozon pushtetit ekzekutiv dhe e miraton pushteti legjislativ. E kur vetë Gjykata Kushtetuese pret parlamentin të ekzekutojë vendimin e saj për pagat e gjyqësorit dhe nuk kuturiset të hapë vetë derën e thesarit të shtetit, çdo koment tjetër është në rastin më të mirë humbje kohe dhe në më të keqin as mos e pyet se ç’është…”, shkruan Rama.

Në fjalën e tij Gogu tha se situata e krijuar lidhur me pagat e gjyqtarëve lidhet me një boshllëk ligjor, i cili do të plotësohet gjatë sesionit parlamentar që nis të martën.

“Paraja publike është para e qytetarëve, nuk është e qeverisë. Çdo qindarkë e buxhetit të shtetit duhet të ketë autorizim ligjor për t’u shpenzuar. Vendimet e Gjykatës kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar Nuk negociohen, nuk relativizohen është boshllëku ligjor shkaku i gjithë situatës në  të cilën ne ndodhemi sot”, theksoi Gogu.

Prandaj, shtoi ai, në sesionin parlamentar që nis të martën ky boshllëk ligjor do të plotësohet.

“Detyra ime është pikërisht që kjo gjë të bëhet shpejt, të bëhet sa më mirë dhe në zbatim të vendimit të gjykatës kushtetuese, por edhe në përputhje të plotë me përgjegjshmërinë ndaj buxhetit të shtetit. Ajo që unë besoj është që mosmarrëveshja zgjidhet në Kuvend, me ligj sepse këtë e ka përcaktuar qartë Gjykata Kushtetuese”, theksoi Gogu.

/k.s/a.f/